"Këta të vjedhin, të rrahin dhe të dënojnë!" Korreshi: Rama ka bërë gjenocid me buxhetin e shtetit

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 20:34 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i cili ishte një nga më aktivët në “aksionin” e opozitës në seancën e së enjtes në Kuvend, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, duke deklaruar se në Shqipëri është kryer “gjenocid me buxhetin e shtetit”. Në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Korreshi komentoi ngjarjet e tensionuara të ditës së sotme në Parlament dhe situatën politike në vend.

Duke iu referuar përplasjes në Kuvend, Korreshi theksoi se ajo që ndodhi nuk ishte rastësi, por reagim i natyrshëm ndaj një situate që, sipas tij, nuk mund të quhet më normale.

“Nuk mund të ketë një parlament normal kur një zëvendëskryeministre kërkohet të futet në burg. Duhej të vinte të kërkonte dorëheqje dhe ndjesë publike. Nuk mund të bëjë Rama sikur nuk ka ndodhur asgjë”, u shpreh deputeti i PD-së, shkruan A2 CNN.

Korreshi u ndal veçanërisht te dosjet hetimore dhe përdori një gjuhë të ashpër për mënyrën se si, sipas tij, janë përdorur fondet publike.

“Kur shikon dosjet, ke të bësh me një gjenocid mbi fondet publike. E them pa frikë fare: kjo është bërë gjenocid me buxhetin e shtetit”, deklaroi ai.

Duke komentuar masat disiplinore të paralajmëruara ndaj deputetëve të opozitës, Korreshi foli për standarde të dyfishta dhe padrejtësi.

“Këta të vjedhin, këta të rrahin dhe këta të dënojnë. Hajde gjeje ti këtë logjikë. Deputetë që nuk kanë lëvizur nga vendi shpallen fajtorë”, tha ai.

Sipas Korreshit, nuk mund të ketë “normalitet” sa herë që preket buxheti i shtetit dhe ngrihen akuza të rënda për korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë.

“Nuk ka më kulturë politike kur të vjedhin. Kur të vjedhin, reagimi është njerëzor”, theksoi deputeti demokrat.

Ai deklaroi se opozita do të vijojë reagimin politik dhe institucional, duke insistuar se e gjithë ajo që po ndodh ka një shkak të vetëm, abuzimin me paratë publike dhe mungesën e përgjegjësisë nga qeveria. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos