“Tregu po funksionon si kartel”, Braçe: Çmimi i naftës po vendoset me mesazhe

Nga A2 CNN
11 Mars 2026, 16:12 | Politikë

“Tregu po funksionon si kartel”, Braçe: Çmimi i

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur shqetësimin për rritjen e çmimit të karburanteve në vend, duke akuzuar se tregu po funksionon si një kartel dhe se çmimi i naftës është vendosur përmes mesazheve që u dërgohen pikave të karburantit.

Braçes, thekson se një ditë më parë çmimi i naftës është ndryshuar rreth orës 16:00, ndërsa ai pretendon se vendimi është përcjellë me mesazh në celularët e pikave të karburantit në të gjithë vendin.

“Çmimi i naftës ka ndryshuar dje rreth orës 4:00 pasdite, nuk e di para apo pas takimit me ministrat e qeverisë, por ka ndryshuar fiks pas një mesazhi të mbërritur në celularin e çdo pike karburanti në territor, të bardha apo edhe të brenduara. Çmimi është më i lartë tek ato që janë të brenduara, nga 197-198 deri në 202 lekë”, u shpreh ai.

Deputeti akuzoi gjithashtu Shoqatën e Hidrokarbureve se po vepron si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve në treg.

“Këto mesazhe nuk i dërgojnë vetëm drejtuesit e kompanive, por veçanërisht tek pikat e bardha i dërgojnë zyrtarët e shoqatës së hidrokarbureve. Pra shoqata e hidrokarbureve funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve”, tha Braçe.

Ai ngriti edhe një tjetër shqetësim lidhur me mënyrën se si kompanitë furnizohen me naftë. Sipas tij, prej rreth katër vitesh operatorët nuk e blejnë më karburantin në bursë, por përmes ndërmjetësve që e sjellin në depozitat në vend.

“Këta nuk blejnë më naftë në bursë. Ka një broker që e sjell naftën në territor dhe e derdh në depozitat e tyre. Pastaj këta blejnë dhe shesin me çmimin e ditës që del nga depozita. Ky model tregu i ka hequr gjithë avantazhin e blerjeve afatgjata”, theksoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos