“Vlora Hyseni” mbledh shtetin dhe SPAK. “Faji personal”, Këshilli i Sigurimit: Plan për korrigjimin e sistemit

Nga Fjorela Beleshi
28 Shtator 2026, 14:59 | Politikë

Një javë pasi ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, u mor nën arrest nga drejtësia për nxjerrje të sekreteve shtetërore, kreu i shtetit, Bajram Begaj, diskutoi për rreth 90 minuta për sigurinë kombëtare në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit.

Për të mësuar më shumë se deri në çfarë niveli është cenuar siguria, në këtë takim ishin ftuar nga Begaj edhe kreu i SPAK-ut, si dhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, shkruan A2 CNN. Edhe pse vetë kreu i shtetit prej një jave vijon të heshtë, në njoftimin e Presidencës përçohen konkluzionet e mbledhjes.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar: Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional. Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik.

Pas distancimit të një dite më parë të Ramës, edhe Begaj, së bashku me kryetarin e Kuvendit, gjashtë ministrat dhe drejtuesit e institucioneve në varësi të Kryeministrisë, që ishin pjesë e tryezës, ranë dakord se nuk duhet ndërhyrë në hetimin e Prokurorisë së Posaçme për Vlora Hysenin.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar: Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë. Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete.

Në këtë mbledhje, Policia e Shtetit u përfaqësua nga zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga, ndërsa Presidenti nuk e kishte parë të nevojshme që, kur flitet për sigurinë kombëtare, të ishte edhe opozita.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se në këtë tryezë nuk është diskutuar se kush do të jetë kreu i ri i SHISH, pavarësisht se komunikimet për emra specifikë vijojnë mes Presidentit dhe Kryeministrit.

Ai që do të marrë drejtimin e këtij institucioni të rëndësisë së veçantë për sa i përket sigurisë duhet të marrë edhe referenca nga aleatët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos