
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, zhvilloi sot një vizitë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, raporton A2CNN.
Sipas një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale nga Ambasada e SHBA-ve, gjatë kësaj vizite ambasadori u njoh nga afër me marinsat amerikanë, si edhe me punonjësit amerikanë dhe shqiptarë që kanë kontribuar në misionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak.
Takimi u konsiderua një moment vlerësimi për bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët në operacionet ndërkombëtare të sigurisë.
“Patëm kënaqësinë të mirëprisnim në ambasadën tonë Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, dhe ta prezantonim atë me Marinsat tanë dhe punonjësit amerikanë dhe shqiptarë që kanë shërbyer në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak. Ne e vlerësojmë partneritetin mes vendeve tona në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta”, thuhet në postimin e ambasadës.
(A2 Televizion)