Sali Berisha njoftoi se në 8 Maj opozitarët do të zhvillojnë protestën e radhës kombëtare, ku kërkesa edhe këtë herë mbetet e njëjtë, largimi i Edi Ramës dhe krijimi i kushteve për qeveri teknike. “Jam sot për të informuar shqiptarët se me datën 8 maj, një ditë e rëndësishme, shqiptarët do të mblidhen në rrugët dhe sheshet e Tiranës në kryengritjen e tyre më të fuqishme paqësore që ka njohur vendi kundër kreut të organizatës kriminale dhe regjimit të tij, qeverisë së tij”, tha Berisha, përcjell A2.
Sipas Berishës kjo protestë bëhet për të shpëtuar vendin, pasi siç pohon ai, Edi Rama po bllokon drejtësinë dhe po pengon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Edi Rama de facto për të shpëtuar lëkurën e tij, iu tha plaç partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë absolutisht me të drejtë, funksionimin e shtetit ligjor, funksionimin e luftës kundër korrupsionit dhe respektimin e vendimeve të drejtësisë”, tha ai.
Gjatë konferencës për mediat, Berisha foli edhe për dosjen e AKSHI-t, ku bën përgjegjës Edi Ramën për gjithë skemën korruptive që SPAK ka zbuluar së fundmi. “Në vitin 2017, Edi Rama me një vendim të shkruar nga kunati i të shoqes, vendos që të gjitha tenderat në fushën e IT në Shqipëri të bëhen nga AKSHI. Pra, Linda e Surrelit dhe kunati i saj, të bëheshin padronë të çdo prokurimi. Dhe kjo solli pastaj pishinën e peshkaqenëve apo kopshtin privat të Edi Ramës”.
Lideri demokrat vijoi edhe më tej me akuza, ku tha personat që po hetohen për dosjen e AKSHI-t kanë tjetërsuar mijëra dosje në Kadastër dhe kanë përvetësuar prona pa të drejtë. (A2 Televizion)