
Ish-ministri Ilir Beqaj ka reaguar lidhur me procesin penal ndaj tij në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO.
Në një shkresë zyrtare drejtuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, kryetarit të Komisionit të Sigurisë, Ulsi Manja, si dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, Beqaj argumenton se një dispozitë e Kodit të Procedurës Penale po zbatohet në mënyrë që, sipas tij, cenon ndarjen kushtetuese të roleve mes prokurorisë dhe gjykatës.
Sipas tij, bëhet fjalë për nenin 332/d, pika 3, i cili i jep të drejtë gjyqtarit të seancës paraprake të kërkojë korrigjimin ose saktësimin e akuzës nga prokurori.
Beqaj pretendon se në rastin konkret, kjo dispozitë ka çuar në ndryshimin e akuzës nga “shpërdorim detyre” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, jo si rezultat i bindjes së prokurorëve, por për shkak të “sugjerimit” të gjykatës.
Ai thekson se vetë prokurorët kanë deklaruar se akuza fillestare ishte e drejtë, por kanë pranuar ndryshimin për të shmangur një ngërç procedural. Sipas Beqajt, kjo situatë krijon një precedent të rrezikshëm, ku akuza nuk buron nga organi i akuzës, por ndikohet nga gjykata.
Në shkresë, ish-ministri argumenton se ndryshimi i akuzës nuk i është komunikuar në mënyrë të rregullt dhe me akt formal nga prokuroria, siç kërkon ligji dhe standardet e Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke cenuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur. (A2 Televizion)