
Si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët, Policia e Kosovës në veri ka realizuar një aksion tjetër ku janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale në Mitrovicë të Veriut.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut ka bërë të ditur se më 28 janar 2026 ka pranuar informata për praninë e mjeteve ilegale në një shtëpi të braktisur në lagjen Bërxhane. Pas këtyre informatave, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme në terren.
Gjatë kontrollit të objektit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash, përfshirë karikator të zbrazët për armë të gjatë, bajonetë, shishe plastike me saçma, kapsula për fishekë, barut, rrip brezi ushtarak, minë kundërkëmbësorike me detonator, pjesë për mbushje fishekësh, targa të ish-milicisë, fishekë të armës së gjuetisë dhe të kalibrave të ndryshëm, përfshirë 12.7 mm dhe 20 mm, si dhe veshje dhe pajisje ushtarake. Po ashtu janë gjetur edhe katër këmisha të Policisë së Serbisë.
Për shkak të pranisë së materialit shpërthyes, në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë edhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksploduese, e cila ka larguar barutin, fishekët e kalibrave të rëndë dhe minën kundërkëmbësorike me detonator.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar dhe rasti mbetet nën hetime. (A2 Televizion)