Gjunkshi për rastin Hyseni: Nuk është vetëm çështje faji, duhen parë përgjegjësit për emërimin

Nga A2 CNN
25 Shtator 2026, 21:38 | Politikë

Gjunkshi për rastin Hyseni: Nuk është vetëm

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi, ka komentuar çështjen e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak.

I ftuar në emisionin “Çdo Kënd” me Merita Haklajn në A2 CNN, Gjunkshi tha se përgjegjësia për situatën nuk duhet të shihet vetëm te Hyseni, por edhe te mënyra se si ajo u propozua dhe u emërua në krye të institucionit.

“Së pari, nuk është faj i saj që ajo ka arritur deri në këtë pikë. Kjo ka një zanafillë dhe kush është zanafilla? Së pari, kush e ka propozuar? Së dyti, kush e ka ofruar, kur, si, në çfarë rrethanash? Dhe të gjitha këto pyetje sot shtrohen për kryeministrin e vendit, për zotin Edi Rama”, u shpreh Gjunkshi.

Ai tha se në procesin e emërimit janë dy aktorë, kryeministri dhe Presidenti i Republikës, i cili firmos dekretimin.

“Janë dy aktorë, janë dy instrumente, është kryeministri, qeveria, është dhe presidenti i cili e dekreton, firmos firmën finale”, tha Gjunkshi.

 “Presidenti i Republikës ka të gjithë kohën dhe autoritetin e nevojshëm që këtë propozim të kryeministrit ta filtrojë. Pra, nuk e ka vetëm formalitet. Absolutisht ka, sepse ai drejtohet të gjitha organeve shtetërore ligjzbatuese në raport me figurën e këtij personi”, deklaroi ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Gjunkshi u ndal edhe te fakti që Hyseni kishte ardhur nga Kosova, duke ngritur pyetjen nëse në procesin e verifikimit duhej të kërkoheshin informacione edhe nga autoritetet kosovare.

“Veçanërisht në lidhje me këtë person ka specifikë të veçantë, sepse ky person ka ardhur nga Kosova. Nuk është një shtetas shqiptar”, tha ai.

 “Shërbimin informativ gjatë gjithë kësaj periudhe, duke marrë që nga këto gjashtë vitet e fundit, e kanë drejtuar qoftë persona drejtues me bindje të majta apo të djathta. Pak rëndësi ka, sepse në fund të fundit të gjithë janë përpjekur, pa përmendur emër tani konkretisht, të punojnë që t’i shërbejnë shtetit dhe jo pushtetit”, u shpreh Gjunkshi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos