Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili do të garojë i vetëm për një mandat tjetër në krye të selisë blu, nga Dibra ku vijoi turin e Foltoreve, komentoi zgjedhjet në PD. Berisha tha se nëse do të garonte përballë Mereme Selës, gara do të bëhej qesharake.
“Vijmë te zgjedhjet. I dëgjoni mediat sot? Thonë që PD nuk bën zgjedhje, PD po bën zgjedhje dhe po bën zgjedhje me një anëtarë një votë. Shumica e partive e zgjedhin kryetarin me kuvendin e partisë. Po, e vërteta është që në 90% dhe më shumë të atyre që i bëjnë me një anëtarë një votë janë me një kandidat, sepse ata që kanë peshë dhe nuk janë të sigurt në fitore, nuk pranojnë të hyjnë, por për të hyrë në garë disa kritere do t’i plotësosh, përndryshe gara bëhet qesharake. Po marrim rastin e Meremes, se ata të tjerët nuk janë në PD fare… Meremja është në PD, ka bërë një garë dhe ka marrë 43 vota. Bravo i qoftë që bëri garë, e përgëzoj, në qarkun e Durrësit. Për të kandiduar Meremja që të drejtojë ty dhe demokratët, duhet të ketë disa prova të tjera, sepse gara bëhet qesharake dhe një garë e tillë nuk të nderon”, tha Berisha. (A2 Televizion)