Zvërneci, Tirana i përgjigjet Athinës: Ngjarja po hetohet, jemi në komunikim të vazhdueshëm

Nga A2 CNN
31 Maj 2026, 21:42 | Politikë

Zvërneci, Tirana i përgjigjet Athinës: Ngjarja po hetohet, jemi

Përplasjet e ndodhura ditën e djeshme gjatë protestës në zonën e Pishë Poro-Nartë në Zvërnec, kanë sjellë reagim edhe nga Ministria e Jashtme e Greqisë.

Kjo e fundit shprehu shqetësim për plagosjen e një personi me shtetësi greke gjatë incidenteve.

Në deklaratën e saj, Athina u kërkoi autoriteteve shqiptare zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Ndërkohë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë reagoi duke shprehur keqardhje për incidentin dhe duke theksuar se autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, raporton A2CNN. 

MPJ shqiptare bëri të ditur se autoritetet e Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm në nivele të ndryshme lidhur me çështjen.

Reagim i plotë i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për situatën e regjistruar dje në Zvërnec, ku ndodhi një përplasje fizike ndërmjet një grupi protestuesish dhe punonjësve të një shoqërie private sigurie të kontraktuar nga kompania që po kryen punime në zonë.

Policia e Shtetit ka identifikuar dhe arrestoi punonjësin e shoqërisë së sigurisë, përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj një protestuesi me shtetësi shqiptare dhe greke, ndërsa dy punonjës të tjerë janë proceduar penalisht. Njëkohësisht, është filluar një hetim disiplinor për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë institucionale përkatëse. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut mbeten vlera themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Lidhur me këtë çështje, autoritetet e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm, në nivele të ndryshme.

Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Greqinë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, dialogun e hapur dhe vlerat e përbashkëta evropiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos