
Kreu i Partisë Demokratike, pas daljes nga SPAK të hënën, theksoi se Altin Dumani “ka mashtruar gjithçka lidhur me vilën ku banon”.
“Tani, shënimi që lashë: Altin Maneku Troplini Hajri shtohet edhe mbiemri Vila. Sot shqiptarët do mësojnë se ai që ka kryesuar këtë institucion, është një pare-larës i shpifur, është një mashtrues ordiner, është një delinkuent i vërtetë sipas dokumenteve të këtij shteti. E kam denoncuar vite më parë dhe për fat të keq ka arritur të kapërcejë i palagur, ndonëse siç do faktohet këtu, ky është një mashtrues i shpifur. Vetingu i tij është një proces i rremë, i turpshëm, i dokumentuar. Herën e kaluar unë u tregova se si Altin Dumani në veting ka deklaruar se ka blerë apartament dhe zyrë me vlera disa herë më të ulëta se vlerat e tregut nga Andon Pango që shiste disa herë apartamentet. Dhe se si Altin Troplini, Altin Dumani i dërgonte mashtruesit Pango që është i dënuar me 6 vite, badigardin e tij nga shteti jo privati, për të terrorizuar dhe nxjerrë njerëz nga shtëpia e banimit sepse mashtruesi Pango i dënuar nga gjykata ua kishte shitur të tjerëve apartamentin e tij”, tha Berisha, shkruan A2.
“Por, sot unë jam këtu për një denoncim tjetër, një denoncim të ri, i cili fakton se Altin mashtruesi, Altin Troplini, ka mashtruar gjithçka lidhur me vilën ku banon. Ky njeri që kryeson vetingun tani është i padenjë për asnjë funksion përveçse në bankën e akuzës. Sot do t’ju tregoj për vilën ku banon Altin Troplini, të cilën në qoftë se ju bëni një kontroll të intervistave të tij, ai thotë se në atë vilë unë banoj me qira. Dhe se me dokumente shtetërore kanë deklaruar se vila është ndërtuar pothuajse e tëra para martesës së Troplinit me Ariklën, zonjën e tij aktuale bashkëshorte në mënyrë që askush të mos mund të lidhë ndërtimin e vilës me dhëndrin. Pra, Altini është bërë dhëndër aty në atë familje pasi kishte përfunduar vila. Dhe po të thoshte ndonjëri nga ju që vila u ndërtua me paratë e Altinit, do të thoshin se ky është një mashtrim pasi Altini është bërë dhëndër pas përfundimit të vilës. Kur u bë vetingu i Altin Troplinit, prindërit e bashkëshortes paraqitën një deklaratë noteriale 1516 numër 432 datë 15.06.2019. Prindërit e gruas së tij deklarojnë se paratë për ndërtimin e vilës i kanë marrë nga misionari Graham Bel përgjatë viteve 1999-2003. E kuptoni ju, bamirësi i madh, si puna e Rrapush Xhaferrit? Pra, i kanë marrë gjatë këtyre viteve afro 45 mijë paund”, shtoi Berisha.
Më tej, kreu demokrat tha se “vila e ndërtuar në vitin 2000 rezulton tokë bujqësore në vitin 2004”.
“Shtëpia ka filluar të banohet, kishë sipas Dumanit, nga familja Pango që prej vitit 2000. Mbajeni mend. Por çfarë thonë dokumentet e shtetit, të kadastrës, të lagjes, të legalizimit? Çfarë tregojnë? Vila që pretendohet se u ndërtua në vitin 2000, dokumentet thonë se është në tokën e familjes Çullhaj, zotit Gëzim Çullhaj, të cilët kanë bërë kontratë noteriale numër 8845 602 me datën 24.09.2004. Kontratë noteriale me familjen Çullhaj për shitjen tek Jorgo Pangos të tokës bujqësore prej 307 metër katrorë, e cila figuron në kadastër tokë arë e lirë në vitin 2004. Pra, Dumani e deklaron ndërtesën të ndërtuar në vitin 2000, madje edhe të shndërruar në faltore ku luteshin dhe paguanin para çifti anglez, Bel dhe bashkëshortja, në një kohë kur në vitin 2004, toka ishte arë. Dhe jo vetëm nga zoti Gëzim Çullhaj, por kryetari i njësisë bashkiake numër 6, Irfan Dashi, në shkresën e vitit 2004, deklaron se vërtetojmë se zoti Gëzim Çullhaj është pronar i një sipërfaqeje prej 307 metra, e cila është e regjistruar në zonën kadastrale 331 dhe aktualisht, thotë kryetari i bashkisë, është sipërfaqe e lire”, u shpreh Berisha.
(A2 Televizion)