Në takimin e parë të organit këshillues të prefektit në qarkun e Korçës janë ngritur probleme emergjente të mbrojtjes sociale, ku kryetarët e bashkive Pogradec dhe Kolonjë kanë kërkuar në mënyrë urgjente ngritjen e qendrave sociale për fëmijët me autizëm, sindromën Down, personat me aftësi të kufizuara dhe për personat me probleme mendore.
“Duhet një rezidencë për gjithë qarkun. Ka skena kur prindërit nesër nuk janë, që fëmijët të jenë të sigurt. T’ia kërkojmë qeverisë këtë. Keq është qeveria? Një tjetër problem është mosha e tretë. Ka të moshuar që janë të vetmuar, që mund të vdesin dhe nuk e merr vesh askush. Kjo nuk bëhet me vullnetarë, por kërkon njerëz dhe struktura. Na duhet një azil në rang qarku. E bën privati dhe nuk e bën dot shteti? Duhen dy godina për personat me aftësi të kufizuara dhe për të moshuarit. Nuk është keq që qeveria t’i bëjë këto”, tha kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, përcjell A2 CNN.
“Në rastet më të vështira të ndërtojmë një qendër rajonale, aksionare, SHA, agjenci, SHPK, nuk ka rëndësi. Me atë shembull të krijojmë një agjenci të përbashkët. Atë që dikur e bënim ne në pandemi, e bën sot teknologjia. Një buton i kuq sot i mjafton të moshuarve”, tha kryetari i Bashkisë Ersekë, Erion Isai.
Prefektja e qarkut të Korçës, Florinda Zegullaj, shprehet se të gjitha kërkesat do t’i drejtohen qeverisë, ndërsa pranon problemet e shërbimeve sociale në juglindje dhe në të gjithë Shqipërinë.
“Ka pasur disa propozime nga ana e kryetarëve të bashkive. E para është ngritja e një shoqërie aksionare, ku pjesë përbërëse të jenë gjashtë bashkitë e qarkut për mbulimin e shërbimeve sociale. Një mundësi tjetër ka qenë kërkesa ndaj qeverisë shqiptare për investime për rikualifikimin e godinave ekzistuese, sepse numri i rasteve është në rritje dhe evidentohet mungesë e shërbimeve. Është kërkuar ngritja e institucioneve të posaçme për të moshuarit, si dhe institucioneve të posaçme për të gjithë ata individë që e kanë të pamundur të integrohen në shoqëri”, tha ajo.
Nevojat për shërbime sociale po rriten çdo vit, ndërsa ngritja e strukturave rajonale për personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe fëmijët me nevoja të veçanta mbetet një domosdoshmëri për të garantuar mbështetje dhe kujdes afatgjatë për kategoritë më në nevojë. (A2 Televizion)