
Epopeja e kthimit të shqiptarëve nga kampi famëkeq i Al-Hawl, duket se ka mbërritur në kapitullin e fundit. Fëmijët dhe gratë që ndodheshin prej më shumë se 7 vitesh në Siri janë tërhequr nga shteti shqiptar dhe në një kohë të shkurtër pritet riatdhesimi i tyre.
A2, që një vit më parë zbuloi vendndodhjen e tyre, në një investigim të jashtëzakonshëm në zonën më të rrezikshme të luftës në Lindjen e Mesme sjell dëshmi të tjera edhe më tronditëse.
Përpjekjet e qeverisë për tërheqjen e shqiptarëve nga kampi kanë marrë një drejtim pozitiv, por orët e fundit mësohet se një pjesë e të burgosurave nuk kanë pranuar të largohen nga Al-Hawl, duke iu fshehur kërkimeve. Operacioni i forcave të Antiterrorit ka kaluar përmes transferimit të familjeve nga kampi Al-Hawl, drejt kampit Roxh, ku siguria për jetën e tyre është më e lartë.
Krahas kësaj, në këtë kamp janë të gjithë të identifikuar dhe këtu kanë nisur edhe procedurat për riatdhesim. Mes të transferuarve për në kampin Roxh janë Endri Dumani, Brunilda Koçollari, Entela Vladi, Ruzhdie Balliu, Lavdie Kaca, Klotilda Zani, Revajet Fidani nga Gostivari së bashku me të gjithë fëmijët e tyre.
Në investigimin e gazetarit Jul Kasapi, 1 vit më parë në Siri, u mësua që fëmijët e gratë shqiptare qëndronin të bashkuara në një pjesë të kampit dhe kjo ishte një indicie shumë e mirë edhe për operacionin e shtetit shqiptar për riatdhesimin e tyre. Referuar këtyre të dhënave, që janë raportuar herë pas here në A2 në kontaktet me kampin, në atë zonë ishin rreth 80 persona, shumica e të cilëve fëmijë. (A2 Televizion)