Mundet dikush të jetë i lumtur në situatën e makthit që po përfshin çdo ditë e më shumë çdo cep të botës?
Këtë do ta zbulojmë vitin tjetër, sepse Raporti Botëror për Lumturinë për vitin 2020 i hartuar nga Kombet e Bashkuara merr parasysh të dhënat e 2019-ës, një vit edhe ai plot problematika kombëtare dhe ndërkombëtare, por që nuk përafroheshin me ankthin e tanishëm ndaj një armiku të padukshëm si koronavirusi.
Sipas raportit, që merr parasysh faktorë të ndryshëm si të ardhurat, liria, besimi tek institucionet, jetëgjatësia dhe kohezioni social, vendi më i lumtur në botë është Finlanda. E ndjekin vende të tjera të veriut të Europës, që shpesh herë dalin të parët në çdo statistikë socio-ekonomike, me Danimarkën në vendin e dytë, e pasuar nga Zvicra, Islanda dhe Norvegjia.
Në fund të klasifikimit, Afganistani tashmë i harruar edhe nga opinioni publik ndërkombëtar dhe i pashpresë për zgjidhje, gjykohet si vendi më i palumtur në botë, i ndjekur nga Sudani i Jugut, Zimbabve, Ruanda dhe Republika e Afrikës Qendrore, vende që ende nuk i kanë shëruar plagët e luftërave civile dhe varfërisë.
Por, si paradoks, edhe vendet me ekonomi të fortë, madje disa nga më të fuqishmet në botë, nuk e kryesojnë klasifikimin. Britania e Madhe ndodhet vetëm në vendin e 13-të, Gjermania në vendin e 17-të, Japonia pabesueshmërisht në vendin e 62-të. Pa folur për vende pjesërisht të lira, si Rusia dhe Kina, në vendin e 73 dhe 94.

Po Shqipëria? Nga 153 vendet e analizuara, Shqipëria ndodhet në vendin e 105-të, e katërta më e “palumtur” në Europë pas Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Armenisë. Ndërkohë, që jo pa surprizë, Kosova ndodhet në vendin e 35-të.
Por përtej shifrave dhe statistikave, që jo gjithmonë pasqyrojnë kompleksitetin e një shoqërie, çfarë bën që një person të ndihet vërtet i lumtur në një vend?
Me sa duket, është besimi tek vetja dhe tek të tjerët. Besimi tek një shëndetësi cilësore, pershembull, është nga faktorët primarë, por një faktor ende më i rëndësishëm është bashkëpunimi midis institucioneve shtetërore dhe komunitetit në zgjidhjen e një problemi specifik.
Për këtë arsye, sipas Jeffrey Sachs, profesor i Columbia University dhe një nga autorët e raportit, edhe pasojat e pandemisë globale të koronavirusit do të përballohen më mirë nga vendet në majën e klasifikimit, sepse në këtë krizë që do të godasë fuqimisht ekonominë dhe mirëqenien relative të vendeve, sipas tij “ banorët e vendeve me besim social më të lartë do të gjejnë në mënyrën më të natyrshme mundësi bashkëpunimi efektive, duke mbyllur plagët dhe ndërtuar rrugën më të shpejtë drejt një jete më të mirë”.
Madje, kriza të tilla në këto shtete, sipas tij, mund të ngrejë paradoksalisht lumturinë sociale sepse “personat surprizohen në mënyrë pozitive nga dëshira e personave afër tyre dhe institucioneve për të punuar së bashku”.
Përtej renditjes dhe subjektivitetit të tij, në fakt është pikërisht ky leksion që po u mësua ashtu siç duhet mund të na rikthejë buzëqeshjen pas një periudhe të errët dhe plot pikëpyetje si kjo. (A2 Televizion)