Laert Haxhiu “i hëngri kokën” drejtorit, Lorent Nake rikthehet në krye të burgut të Drenovës

Nga Artin Halili
6 Korrik 2025, 18:36 | Aktualitet

Laert Haxhiu “i hëngri kokën” drejtorit, Lorent Nake

Pas shkarkimit të drejtorit të deritanishëm të burgut të Drenovës, Fatjon Fasho, ministri i Drejtësisë nuk ka vonuar emërim e drejtorit të ri të burgut të sigurisë së lartë, që ndodhet në Korçë.

Në krye të institucionit të vuajtjes së dënimit është rikthyer Lorent Nake, i cili u dorëhoq nga ky post në shkurt të vitit 2024, pasi e kishte drejtuar këtë burg për rreth 4 muaj.

Pas dorëheqjes, Nake mori drejtimin e Forcave Shqiponja në drejtorinë vendore të Policisë së Korçës.

Nga ana tjetër, nga komunikimi telefonik me Fatjon Fasho, ky i fundit ka mohuar akuzat lidhur me përfshirjen e tij në futjen e telefonit të Laert Haxhiut dhe ka mohuar kategorikisht që të ketë patur veprime të kundraligjshme.

Ndërkohë, drejtor i policisë së burgut Drenovë është emëruar Artan Koçibelli.

Por kush është Lorent Nake që rikthehet në krye të IEVP Drenovë?

Me një karrierë të konsoliduar në strukturat më të larta të sigurisë së shtetit, Nake ka shërbyer prej Gardës së Republikës deri në drejtimin e institucioneve penale.

I lindur më 5 qershor 1984 në Tiranë, Lorent Nake ka ndërtuar një profil të respektuar në fushën e sigurisë kombëtare dhe rendit publik.

Gjatë viteve 2010–2023, ai ka mbajtur gradën e nënkomisarit në Gardën e Republikës, referuar CV së tij, ai është dalluar për menaxhimin e operacioneve të sigurisë dhe shërbimeve të specializuara për personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare.

Përvoja e tij në Gardë përfshin udhëheqjen e ekipeve elitare, trajnime të avancuara dhe përfaqësimin institucional në situata të ndërlikuara operative.

Pas largimit nga Garda, ai mori drejtimin e IEVP Drenovë në tetor 2023, detyrë të cilën e ushtroi deri në shkurt 2024.

Gjatë kësaj periudhe, Nake spikati për vendosjen e një standardi të ri menaxhimi dhe disipline brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

Në vazhdimësi të karrierës, Lorent Nake kontribuoi edhe në Policinë e Shtetit si specialist krimesh pranë Komisariatit të Korçës dhe më pas si komandat i forcave të posaçme “Shqiponja”, duke shtuar më tej eksperiencën e tij në frontin e luftës kundër kriminalitetit.

Rikthimi i tij në drejtimin e burgut të Drenovës, në korrik 2025, shënon një besim të ripërtërirë nga autoritetet mbi aftësinë e tij për të drejtuar me efikasitet një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit penitenciar në vend, i cili jo pak herë është përfolur në të shkuarën për funksionimin e tij.

Nake ka kryer Akademinë e Rendit dhe është diplomuar në drejtësi pranë Universitetit “Justiniani” dhe zotëron dy mastera profesionalë në fushën e drejtësisë penale dhe të sigurisë publike, përkatësisht nga universitetet “Justiniani” dhe “Luarasi”.

Ai gjithashtu është i çertifikuar si avokat dhe ka ndjekur trajnime të shumta brenda dhe jashtë vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos