
Të dhënat e fundit qe i referohen gjashtë mujorit të parë të vitit, deficiti i skemës së pensioneve ka arritur në 12.6 miliardë lekë. Po pse është krijuar ky deficit, dhe pse po dështon skema e pensioneve?
Sipas ekspertit Kastriot Sulka, drejtor i Institutit për Studime ekonomike dhe sociale, “asnjëherë nuk e kemi marrë seriozisht, e dinim që do të ndodhte, në 2014 kemi bërë një të ashtuquajtur reformë por në fakt ishte një ndryshim ligjesh, është shtyrë mosha e daljes në pension, kontributet etj, në një farë mënyre është shtyrë problemi me 6 muaj, por pa zgjidhur problemin”.
Sulka bën një paralelizëm me vendet perëndimore, ku sipas tij “deri në momentin që e fusin në fuqi reformën, atje duhet të kalojnë të paktën 2 vjet, pra me një periudhë transicioni, sepse kjo nuk është reformë që duhet bërë për arsyeje politike. Ajo duhet bërë konsensuale. Tek ne, nuk e patën seriozisht por me megalomani, me frikën se po i shkatërronte buxhetin. Ja ku jemi, dhe tani shërben një shumë edhe më të madhe”.
Sipas ekspertit, për të filluar një diskurs serioz për pensionet, duhet filluar së pari nga rinia, forca prodhuese e vendit, “në qoftë se nuk i përkushtohesh asaj pjese, nuk mund të kesh tregues të mirë”. (A2 Televizion)