
Ndryshimet fiskale që qeveria bëri në paketën e re për vitin 2022 po nxisin reagimin e fermerëve të cilët kundërshtojnë kryesisht heqjen e TVSH-së së rimbursueshme. Ekspertë të bujqësisë thonë se ndërhyrjet do i shkaktojnë një dëm në së paku 7 milionë euro bujqësisë.
“Duam subvencione... Duam subvencione”. Ishte kjo thirrja që shoqëroi protestën e fundit të fermerëve pas vendimit të qeverisë për të hequr subvencionin që ishte në masën 6 për qind, rritjen e vlerës së përjashtimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për importin e makinerive dhe vendosjen e një tarife për qumështin pluhur.
Fermerët nga ana tjetër kërkojnë barazim të TVSH-së së blerjes dhe shitjes së prodhimit, vendosjen e një tarife 10 lekë për litër qumësht dhe kg perime të shitura me faturë, forcim të organeve kontrolluese dhe këshilluese si dhe rritjen e masës së subvencioneve.
Përfaqësues nga sektori i bujqësisë thonë se ndryshimet e propozuara në paketën e re fiskale do rrisin ndjeshëm çmimet e produkteve të konsumit si dhe do ulin aftësinë e fermerëve për të konkurruar me Rajonin. (A2 Televizion)