Soko: Nisma prezantim të madh në 28 nëntor, ekonomia dhe shtetndërtimi objektivat primare

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2020, 11:35 | Aktualitet

Nisma Thurje po përgatitet si subjekt i ri politik, për t’u përballur me zgjedhjet e 25 prillit. Ekonomisti Pano Soko, një prej figurave më të njohura të kësaj lëvizje politike, deklaron në A2 se Nisma do t’i prezantohet zyrtarisht shqiptarëve në 28 nëntor. Ndërkohë, propozimet e tyre fokusohen kryesisht në rrafshin e ristrukturimit ekonomik dhe të marrëdhënieve midis institucioneve. Ndryshimi i formulës së partneritetit publik privat është një nga pikat më të rëndësishme. “Ne kemi dërguar në Kuvend një propozim dy vite më parë, që sigurisht në atë kohë Kuvendi refuzoi, për ngritjen e një komisioni hetimor që të hetojë plotësisht gjithë aktivitetin që nga momenti i lidhjes së kontratave deri në momentin e ekzekutimit. Këto kontrata nuk mund të stopohen asnjëherë me dhunë dhe arbitraritet, por në formë ligjore. Gjykatat e arbitrazhit janë të paanshme, dhe me provat e duhura kauzat mund të fitohen”. Fokusi te anomalitë mund të ishin arsyeje të mira për zhbërjen e disa prej këtyre kontratave. “Në letra të gjitha këto kompani kanë marzh fitimi shumë të ulët, ndërkohë që kur e shikon në realitet marzhi del shumë i lartë. Aty kemi të bëjmë me mashtrim klasik, dhe arsyeje e mirë për të zhbërë një kontratë. Beteja jonë ligjore duhet të na çoj në një kosto zero për buxhetin e shtetit”, thotë Soko. Por për të është vetë koncepti i PPP-ve që duhet rishikuar. “PPP nuk janë të leverdishme në aspektin ekonomik, sepse paguajmë dy herë interesa, kështu që formati aktual duhet anuluar. Nuk ka pse të investojë shteti, ndërkohë që mund të investojë privati, të fitoje sa të fitojë dhe më pas aseti t’i kalojë shtetit. Për koncesionet më të gjata, me afat më të gjatë se 10 vjet, shtyrja duhet të miratohet me referendum, sepse ajo kohë tejkalon jetëgjatësinë e një klase politike”, shton ai. Referendumet janë një tjetër pikë e rëndësishme e Nismës. Sipas ekonomistit, “miratimi i dhënies se një hapësire publike për koncesion do të duhet të kalonte me një referendum lokal, ku të përfaqësohen të dy krahët e interesit. Duhet të kuptohet që populli nuk e delegon tërësisht vendimmarrjen dhe për çështje konkrete, që prekin përditshmërinë, duhet të flas vetë”. Soko thotë se në 28 nëntor Nisma do t’i paraqesë shqiptarëve pikat e saj kuçe, ku përfshihet ”ndryshimi i kodit elektoral, ku forma proporcionale kombëtar me lista të hapura na duket sistemi më i mirë për Shqipërinë”, por edhe ristrukturimi i ligjit për partitë, demokracia e brendshme brenda partive dhe balanca e pushteteve përballë qeverisë, “që mos të krijohen më pole të forta pushteti, ku sot kryeministri ka në dorë gjithë vendin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos