
Policia ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me aksidentin e ndodhur sot në aksin Fier-Vlorë, ku humbi jetën shefi i Krimeve të Rënda në Policinë e Vlorës Ermal Lulaj.
Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur edhe Th. P., 63 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
“Rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. L., dyshohet se, për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me një mjet tip skrep, me drejtues shtetasin Th. P., 63 vjeç. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Toyota”, shtetasi E. L., oficer policie në DVP Vlorë. Ndërsa shtetasi Th. P. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit”. (A2 Televizion)