“Zëvendësimet me Kroacinë i vonoi”, Nexhipi: Silvinjo me 1 ose 2 ndryshime ndaj Spanjës

Nga A2 CNN
20 Qershor 2024, 12:53 | Live Euro 2024

Drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi në një lidhje nga Gjermania për “Ditarin” e A2 CNN tha se kritika e vetme që mund të qëndrojë për teknikun Silvinjo është disi vonesa që bëri me zëvendësimet në sfidën ndaj Kroacisë.

Nexhipi theksoi më tej se Grupi B është më i vështiri i këtij Europiani dhe djemtë kuqezi, por edhe stafi teknik duhen vlerësuar për impenjimin dhe shpirtin luftarak që po tregojnë në fushë.

Nuk besoj që ka pasur ndonjë frikë Silvinjo. Ishte një ndeshje që filloi shumë mirë. Me rastin e Asllanit mund ta mbyllnim pjesën e parë me 2-0 dhe ashtu ndoshta kishim mbyllur ndeshjen. Trajneri priti pak për zëvendësimet po në ndeshje të tilla është e rëndësishme të ruhet qetësia. Besoj se trajneri ka bërë vendimet e duhura. Ndoshta te ndryshimet mund të kishte ndërhyrë me herët, por besoj se me rezultatin 2-2 dhe paraqitjet që po bëjmë në Europian duhet të jemi të gjitha krenarë. Jemi në grupin më të vështirë në Europian, por ekipi po luan, s’duhet të kemi kritika për asnjërin, duhet ti përkrahim.

I pyetur se çfarë pritet të ndryshojë në formacionin e Kombëtares por dhe skemën që Silvinjo mund të aplikojë ndaj Spanjës, Nexhipi tha se mund të ketë ndryshime duke aktivizuar lojtarë më të freskët për shkak se intensiteti i ndeshjeve ka qenë i lartë.

Mendoj se nuk do të ketë shumë ndryshime. Ndeshjet janë shumë afër ndaj do të tentojë të fusë një apo dy lojtarë më të freskët. Trajneri ka bërë një punë të jashtëzakonshme, vetëm duhet të kemi durim dhe t’i përkrahim çunat tanë.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos