Një ndryshim epokal në futbollin shqiptar. I mbledhur gjatë kësaj fundjave, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit, miratoi ndryshimin që po përflitej prej kohësh.
Heqjen e kufizimit për futbollistët e huaj që skuadrat profesioniste mund të aktivizojnë në fushën e lojës. Propozimi që lidhej me rregulloret e kampionateve, kishte si pikë kryesore ndryshimin e nenit, sipas të cilit aktualisht në ndeshjet zyrtare mund të zbrisnin njëkohësisht në fushë vetëm pesë lojtarë të huaj.
Sipas vendimit të Ekzekutivit, nga janari i vitit 2025,periudhë që përkon edhe me hapjen e merkatos së dimrit, “klubet e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë do të kenë të drejtën të aktivizojnë njëkohësisht 7 lojtarë të huaj në fushën e lojës gjatë ndeshjeve”.
Rregulli ndryshon plotësisht për sezonin e ardhshëm. Sipas vendimit “duke nisur nga sezoni 2025-2026, klubet e Kategorisë Superiore mundtë aktivizojnë lojtarë të huaj pa limit. Praktikisht për një skuadër elitare, në fushë mund të luajnë 11 futbollistë të huaj. Ndërkohë, rregulli mbetet i pandryshuar, me 7 të huaj për klubet e Kategorisë së Parë.
Deri më tani kufizimi i lojtarëve të huaj në futbollin shqiptar, ishte përdorur si mundësi që klubet të prodhojnë dhe të promovojnë talentet e tyre.
Me heqjen e kufizimeve, mbetet për tu vlerësuar nëse cilësia e kampionatit do të rritet dhe gara do të bëhet tërheqëse për tifozët që kanë braktisur stadiumet, apo nëse akademive shqiptare do t’u bëhet një dëm i pariparueshëm, duke penguar rritjen e brezit të yjeve të së ardhmes. (A2 Televizion)