Ndeshjet e fundit në grupin e përbashkët të Champions ishin të hidhura për ekipet italiane. E vetmja skuadër që u kualifikua direkt në 1/8 ishte Interi, pas fitores me Monaco. Zikaltërit, ashtu sikurse Liverpool, Barcelona, Arsenal, Atletico, Leverkusen, Lille e Aston Villa kaluan direkt në fazën tjetër.
Disfata në Zagreb përballë Dinamos bëri që Milani të zbresë në zonën “playoff”, aty ku sipas skemës së përcaktuar, në short rrezikon të gjejë përballë Juventusin. Bardhezinjtë nga ana tjetër e kishin siguruar këtë fazë dhe u mposhtën nga Benfica.
Goglat mund të vendosin një derbi italian, ndërsa si alternativë Milani mund të ketë përballë Feyenoord, ndërsa Juventusi, PSV Eindhoven. Atalanta në anën tjetër evitoi rivalët e mëdhenj dhe do të ketë përballë Sporting ose Club Brugge.
Rrugëtim tejet i vështirë edhe për Manchester City. Pasi siguroi vendin në “playoff” vetëm në ndeshjen e fundit, ekipi i Pep Guardiolës do të ndeshet me Real Madrid ose Bayern Munich.
Paris Saint Germain nga ana e saj do të ketë përballë Monaco ose Brest, ku një derbi francez është i garantuar.
Rrugëtimi komplikohet edhe për fazën e 1/8. Juventusi ose Milani rrezikojnë edhe derbin italian me Interin, teksa në anën tjetër të tabelës i pret Arsenali. Sipas skemës drejt finales në Mynih, në fazën me eliminim direkt Realin, Bayernin apo Manchester City i presin Atletico Madrid dhe Bayer Leverkusen.
Shorti për duelet “playoff” do të hidhet këtë të premte në Nyon, prej orës 12:00. Ndeshjet e para do të luhen më 11 dhe 12 shkurt, ndërsa sfidat e kthimit më 18 dhe 19 shkurt. (A2 Televizion)