Katër të parët përballë njëra-tjetrës. Java e 25-tërezervon duele titulli në Kategorinë Superiore. Egnatia kryesuese pret Partizanin e vendit të tretë, e cila ishte edhe finalja për kurorën e kampionit gjatë sezonit të kaluar.
“Respekt maksimal për Egnatian, ata janë kampionë dhe po luajnë në mënyrë të shkëlqyer. Janëshumë kompaktë dhe luajnë gjatë bashkë, por ne shkojmë të luajmë dhe mendojmë për veten. Ekipi që do të zbresë në fushë, është më i miri për momentin. Lojtarët do jenë të motivuar dhe guximshëm. Vlerësojmë çdo kundërshtar, por i marrim ndeshjet hap pas hapi, është e gabuar të mendojmë në futboll që duhet të ruajmë diçka dhe ta vendosim veten në pozicion mbrojtës”, shprehet trajneri Veselinoviç.
Në duelin tjetër, Vllaznia pret Dinamon në “Loro Boriçi”.Në dhjetor të 2024-ës, kryeqytetasit i shkaktuan kuqebluve humbjen e parë në shtëpi pas shtatë muajsh. Gjatë këtij edicioni, blutë i kanë fituar të dy sfidat direkte me shkodranët.
“Ndaj Dinamos duhet të japim më tepër se 100% nëse duam të fitojmë. Ky është objektivi ynë. Nuk e nënvlerësojmë asnjë ekip në kampionat, jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës. Duhet të jemi të përqendruar për objektivat kryesorë. E kujtojmë ndeshjen e humbur, por nuk ishte çdo gjë keq. Duhet të mësojmë nga gabimet, objektivi jonë është të marrim sa më shumë pikë. Të përballojmë uljet dhe ngritjet gjatë sezonit, por synojmë vetëm fitoren. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë” deklaroi Brdariç.
Në ndeshjet e tjera, Bylis dhe Elbasani kërkojnë të qëndrojnë larg zonës së ftohtë. Të dielën, në fushë zbresin katër skuadra që rrezikohen prej rënies nga kategoria. Laçi ndeshet me Teutën, ndërsa Tirana e vendit të parafundit, pret Skënderbeun që ndodhet në fundin e renditjes. (A2 Televizion)
Duele titulli në Superiore, Egnatia pret Partizanin, Vllaznia sfidon Dinamon
