Konferenca e kombëtares mes dilemave dhe ëndrrave, Sylvinho gati për Anglinë

Nga Erald Kodhelaj
20 Mars 2025, 18:54 | Futboll

Vështirësitë nuk i zbehin objektivat e Shqipërisë. Dilemat nuk i ndalojnë ëndrrat e Sylvinhos. Edhe pse e ka të qartë se luan përballë një prej skuadrave më të forta në botë, trajneri i Kombëtares shfaqet gati.

“Kemi patur disa probleme me Ismajlin dhe Kumbullën. Por do e monitorojmë gjendjen e tyre deri në fund, teksa Ajeti dhe Mihaj janë alternativa. Kemi punuar të përgatisim ndeshjen me Anglinë, edhe pse koha e shkurtër në dispozicion na e ka vështirësuar punën. Por nuk ankohemi, jemi përgatitur për këtë ndeshje. Është ndeshje e fort, e vështirë por njëkohësisht edhe e këndshme. Përballemi me një prej skuadrave më të forta në botë, padyshim. Por futbolli është i pabesueshëm, në 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë”, tha Sylvinho.

Kapiteni Gjimshiti vlerësoi frymën e re në skuadër dhe beson se ëndrrat mund të realizohen, referuar kualifikimit në Kupën e Botës.

“Atmosfera është e mirë dhe fryma e re, me lojtarë që janë afruar së fundmi. Me këto talente do të bëjmë më të mirën për një qëllim që nuk e kemi arritur kurrë. Thonë se ëndrrat nuk janë të mundura, por disa ëndrra edhe realizohen. Kështu na thoshin edhe për Europianin, por ia kemi dalë. Ekipi ka një punë të vështirë, jo vetëm unë si Gjimshiti, por e gjithë skuadra”, tha kapiteni kuqezi.

Shqipëria luan ndaj Anglisë këtë të premte në Wembley, duke nisur prej orës 20:45. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos