Botërori i kësaj vere pritet të jetë më fitimprurësi në histori, por edhe një nga më të diskutuarit. Tifozët kanë reaguar për çmimet e larta të biletave, kostot e udhëtimeve dhe akomodimit, ndërsa shqetësime ka edhe për sigurinë, temperaturat ekstreme dhe tensionet politike.
Për herë të parë, një vend organizator si Shtetet e Bashkuara te Amerikës ndodhet në konflikt me një kombëtare pjesëmarrëse, Iran. Disa anëtarëve të ekipit iranian u janë refuzuar vizat dhe ekipi pritet të qëndrojë në Meksike, duke hyrë në SHBA vetëm për ndeshjet.
Nga ana tjetër, FIFA synon të arkëtojë rreth 9 miliardë dollarë nga turneu, por është përballur me kritika të forta për rritjen e çmimeve të biletave. Autoritetet në New York dhe New Jersey kanë nisur hetime për dyshime mbi manipulimin e tyre.
Një tjetër polemikë ka të bëjë me rregullat në stadiume. FIFA në fillim vendosi të ndalojë futjen e shisheve të ujit, por për shkak të temperaturave të larta dhe kundërshtimeve nga tifozët, ky vendim u tërhoq. Ky Botëror po konsiderohet edhe si më i dëmshmi për klimën, pasi formati me 48 kombëtare do të rrisë ndjeshëm udhëtimet me avion, që përbëjnë pjesën më të madhe të ndotjes së krijuar nga turneu.
Problematike mbeten edhe kushtet e motit në SHBA, veçanërisht rrufetë. Sipas rregullave amerikane, nëse një rrufe regjistrohet 13 kilometra pranë stadiumit, ndeshja pezullohet për 30 minuta. Në rast se gjatë kësaj periudhe bie një tjetër rrufe, atëherë koha rinis nga e para. Një skenar që pritet të shkaktojë shumë ndërprerje gjatë ndeshjeve, ashtu siç ndodhi edhe në Botërorin e Klubeve vitin e kaluar. (A2 Televizion)