Mijëra tifozë qëndruan në radhë për orë të tëra në vapën e Miamit për një shans të rrallë për të parë çmimin më ikonik të futbollit, trofeun origjinal të Kupës së Botës FIFA, ndërsa turneu i vitit 2026 arrin në fazat eliminatore. Një varg i gjatë njerëzor u krijua jashtë Kullës së Lirisë në Miami, me disa që pritën për të paktën dy orë, për të parë dhe për të bërë fotografi me trofeun prej ari 18 karatësh të projektuar nga artisti italian Silvio Gazzaniga. Trofeu, i cili zëvendësoi trofeun Jules Rimet në vitin 1974, normalisht mbahet nën masa të rrepta sigurie në Cyrih dhe shfaqet publikisht vetëm herë pas here.
“Është e veçantë, sepse është një mundësi që të jepet vetëm një herë në jetë. E sheh Kupën e Botës të luhet në vende të tjera, por të luhet në tokën tonë… ia vlen vërtet eksperienca”, thotë Brandon Trujillo Rivera, tifoz.
Tifozja peruane, Natalia de Riglos, duke e parë trofeun për herë të parë, tha se ishte e emocionuar. “Nuk mund ta kisha imagjinuar që ishte kaq e madhe dhe me kaq shumë detaje. Është diçka shumë mbresëlënëse dhe më bën ta ndjej dhe më shumë atmosferën e Kupës së Botës”, thotë ajo.
Ekspozimi vjen ndërsa Miami përgatitet të presë një ndeshje të raundit të 1/32 të premten midis kampionëve në fuqi të Argjentinës dhe ekipit surprizë të Kepit të Gjelbër. Fituesi i Kupës së Botës në vitin 2006 me Italinë, Marco Materazzi, i cili ishte në këtë ngjarje dhe mbajti trofeun, tha se është mahnitur nga performanca përrallore e Kepit të Gjelbër në turneun e tyre të parë.
“Kepi i Gjelbër është surpriza e madhe për momentin. Por kurrë nuk i dihet, sepse e pashë ndeshjen, ata luajtën shumë mirë. Tani duhet të luajnë kundër kampionëve të botës. Në 90 minuta në futboll nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë”, thotë Materazzi.
Ishujt e Kepit të Gjelbër kaluan fazën e grupeve të pamposhtur, duke përfunduar të dytët pas Spanjës dhe përpara Uruguait. (A2 Televizion)