
Më shumë se 100 pasagjerë dhe 23 anëtarë të ekuipazhit në anijen turistike Ruby Princess të kompanisë Princess Cruises janë sëmurë nga norovirusi i dyshuar, sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Ky është shpërthimi i tretë i këtij lloji në anijet e kompanisë gjatë këtij viti.
Anija u nis më 12 qershor nga San Francisko drejt Alaskës dhe Kanadasë, me kthim të planifikuar më 2 korrik. Në bord ndodheshin 3.032 pasagjerë dhe 1.144 anëtarë ekuipazhi. Autoritetet u njoftuan për shpërthimin pasi numri i të sëmurëve kaloi pragun prej 3% të pasagjerëve, shkruan A2CNN.
Pas mbërritjes në San Francisko, anija u ndal për një proces të plotë dezinfektimi, ndërsa personat e sëmurë u izoluan.
Norovirusi është një virus shumë ngjitës që shkakton kryesisht të vjella dhe diarre. Ai përhapet përmes kontaktit me sipërfaqe të kontaminuara ose grimcave të feçeve dhe të vjellave, ndaj autoritetet shëndetësore rekomandojnë larjen e shpeshtë të duarve me ujë dhe sapun.
Anijet turistike konsiderohen mjedise me rrezik më të lartë për përhapjen e infeksioneve për shkak të numrit të madh të njerëzve që qëndrojnë në hapësira të përbashkëta. Sipas CDC-së, gjatë këtij viti janë regjistruar edhe gjashtë shpërthime të tjera të norovirusit në anije turistike. (A2 Televizion)