Ekskluzive/ Jo vetëm Reali, edhe Manchester United kërkon Xhakën, menaxheri Cenolli: Vlen 35 milionë euro

Nga A2 CNN
19 Qershor 2026, 23:50 | Futboll

 

Menaxheri i futbollit Mario Cenolli komentoi të ardhmen e Granit Xhakës dhe kritikat e fundit të Zlatan Ibrahimoviçit ndaj kapitenit të Zvicrës, gjatë një interviste në emisionin “Mega Botëror” me Altin Sulçen në A2CNN.

Duke folur për mundësinë e një transferimi të mesfushorit shqiptar te Real Madridi, Cenolli theksoi se Xhaka ka një kontratë afatgjatë me Sunderlandin, por pranoi se një ofertë nga "galaktikët" do të ishte e vështirë të refuzohej.

Ndër të tjera Cenolli zbuloi se për Xhakën ka shfaqur interes edhe Manchester United dhe se vlera e lojtarit ka arritur në 35 milionë euro. 

Xhaka ka një kontratë me Sunderlandin 2 plus 1. Por nëse Real Madridi të troket në derë, duhet ta mendosh mirë, pasi bëhet fjalë për një nga ekipet më të mira në botë”, u shpreh Cenolli.

Ai shtoi se trajneri i madrilenëve, Jose Mourinho, e njeh prej kohësh Xhakën dhe ka tentuar ta afrojë edhe më parë kur ishte trajner i Romës.

Aty është një trajner që e njeh mirë Granitin. Ai ka dashur ta marrë te Roma, por nuk u arrit marrëveshja. Trajneri vazhdon të jetë në kontakt me Granitin, megjithëse nuk e di sa mund të realizohet një transferim i tillë”, deklaroi ai.

Cenolli komentoi edhe kritikat e bëra nga Zlatan Ibrahimoviçit ndaj kapitenit të Zvicrës, pas ndeshjes me Bosnjë Hercegovinën. Sipas tij, Xhaka kishte çdo të drejtë të merrte përsipër ekzekutimin e penalltisë si lider i skuadrës.

Një kapiten si Xhaka, lideri i Zvicrës, nëse kërkon ta gjuajë penalltinë, e ka këtë të drejtë. Madje mund t’i heqë presionin edhe një lojtari të ri”, tha Cenolli.

 “Zlatanit mund t’i ketë djegur edhe fakti që kombëtarja e prindërve të tij, Bosnja, humbi thellë. Këto deklarata për Granitin janë pa vlerë fare. Ai as i lexon dhe as i shikon”, përfundoi Cenolli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos