
Tatimet pranojnë se janë në borxh me biznesin. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Xhavit Curri ka deklaruar se presioni i shtuar për rimbursime të TVSH-së, ka krijuar një vonesë prej 6 muajsh.
Sipas tij, Drejtoria e Tatimeve po punon me Ministrinë e Financave për të rritur ndjeshëm fondet e planifikuara për rimbursimet, për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi që po dëmton sipërmarrjet.
Gjatë vitit të kaluar, rimbursimet e dhëna kapën vlerën e 14.5 miliardë lekëve, ndërsa për 2019 synohet që shuma të rritet në 19 miliardë lekë. Sipas Currit, në kryerjen e pagesave tatimet ndjekin radhën sipas datës së miratuar për rimbursim, për të mos krijuar diferencime mes bizneseve.
Deklarata u bë gjatë një tryeze të organizuar nga Dhoma Amerikane e tregtisë, ku sipërmarrjet ngritën shqetësimet e tyre ndaj sistemit tatimor. (A2 Televizion)