
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, të martën në Moskë.
Konfirmimi ka ardhur nga Kremlini. Ndërsa zëdhënësi I shefit të OKB njofton se Guterres shpreson të diskutojë me Putin se çfarë mund të bëhet për të sjellë paqe në Ukrainë gjatë këtij udhëtimi.
Kreu i Pallatit të Qelqtë do të komunikojë edhe me qeverinë e Ukrainës për një vizitë të mundshme në Kiev. Kjo vjen teksa palët nuk morën parasysh thirrjen e OKB për një armëpushim 4 ditore gjatë pashkëve ortodokse.
Ndërkohë, po të martën më 26 prill, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thirrur një takim të rëndësishëm në bazën ajrore amerikane në Ramstein të Gjermanisë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin, ftoi kolegët e tij dhe udhëheqësit ushtarakë nga vendet aleate në mbarë botën për të diskutuar mbi zhvillimet në krizën e Ukrainës dhe çështjet e sigurisë. (A2 Televizion)