
Donald Trump apo Joe Biden? Amerikanët votojnë sot për të zgjedhur atë që do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë për 4 vitet e ardhshme mes presidentit republikan në pushtet dhe sfiduesit demokrat. Qendrat e votimit janë hapur në të gjithë vendin përzgjedhjet presidenciale më të pazakonta në historinë e Shteteve të Bashkuara pasi përkojnë dhe me pandeminë koronavirus.
Qytetarët theksojnë se nuk kanë ndjerë kurrë një emocion të tillë, ndërsa radhët e gjata lëvizin me shpejtësi. Pjesëmarrja pritet të shënojë rekord në shekullin e fundit, duke marrë parasysh që deri më tani rreth 100 milionë amerikanë e kanë thënë fjalën e tyre të fundit përmes votimit të parakohshëm dhe me postë.
Në disa zona ka nisur dhe procesi i numërimit. Joe Biden ishte ai që siguroi fitoren e parë me 5 votat e marra nga 26 banorët e fshatit Dixville Notch në Nju Hempshajër, ku votat numërohen të parat prej 80 vitesh tashmë.
Një koment ironik për këtë, kandidati demokrat e bëri nga Skranton i Pensilvanisë.
“Për 80 vite, vendi i parë në shtet që voton në mesnatë është një fshat në Nju Hempshajër që quhet Dixville Notch. Gjithmonë shikohet se kush e fiton atë. Më është thënë që unë jam fituesi në mënyrë unanime, të gjitha 5 votat. Kështu që bazuar në nocionin e Trump, po e shpall që tani fitoren”, deklaroi me ironi Biden.
Rreth 20 kilometra më larg, në fshatin Millsfield, Trump arriti fitoren e parë me një rezultat 16 me 5. Presidenti në detyrë bëri një ndërhyrje në Fox News gjatë ditës së zgjedhjeve, gjatë së cilës ishte më i kujdesshëm duke thënë se ka një shans të mirë për fitore.
Trump do të presë rezultatin e zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë, ku ka organizuar një festë me 400 të ftuar. Nga ana tjetër rivali demokrat ka zgjedhur të shkojë në qytetin e lindjes në Skranton të Pensilvanisë për të pritur zgjedhjen e Amerikës për 4 vitet e ardhshme.
Bashkë me të do të jenë familjarët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë. Forcat e rendit dhe autoritetet federale janë vënë në alarm nga trazira të mundshme gjatë procesit të votimit dhe numërimit si dhe të shpalljes së ndonjë rezultati të mundshme.
Sipas alarmit priten manifestime të dhunshme, megjithatë gjithçka po shkon pa probleme. Për këtë arsye është rritur niveli i sigurisë, veçanërisht pranë Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë, sondazhet e fundit i japin Biden një epërsi ndaj Trump, por ka paqartësi në shtetet e konsideruara kyçe, gjë e cila mund të përcaktojë rezultatin përfundimtar. (A2 Televizion)