Ukraina spraps rusët, Moska hakmerret me sulme raketore, Kharkiv e Donetsk pa energji

Nga A2 CNN
12 Shtator 2022, 14:29 | Bota
Ukraina spraps rusët, Moska hakmerret me sulme raketore, Kharkiv e Donetsk

Rusia synon të privojë qytetarët nga drita dhe ngrohja, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike rreth lindjes së Ukrainës, në shenjë hakmarrje për kundër ofensivën e trupave të Kievit. Kështu e komentoi presidenti Volodymyr Zelenski black out-in që preku miliona njerëz në rajonet lindore të Kharkiv dhe Donetks. 

Kryebashkiaku i Kharkivit Ihor Terekhov tha se sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile kishin lënë shumicën e qytetit pa energji elektrike apo ujë mbrëmjen e së dielës. Ai e cilësoi këtë një përpjekje mizore dhe cinike për t’u hakmarrë ndaj sukseseve të fundit të ushtrisë ukrainase.

Një raketë goditi infrastrukturën. Transformatorët që shërbejnë për qytetin e Kharkivit u dëmtuan. Në godinën e goditur nga raketa kishte dy zyrtarë në detyrë. Njëri është konfirmuar i vdekur, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e të dytit”, tha zv.drejtori i shërbimeve të emergjencës Anatoli Torianyk.

Autoritetet njoftuan se energjia ishte rikthyer, por dy sulme të tjera me raketa u raportuan më vonë. Gjithashtu, guvernatori i rajonit të afërt të Sumit, tha se mbi 130 godina në një lagje të vetme ishin pa energji. Probleme të ngjashme u raportuan edhe në rajonet e Dnipropetrovsk dhe Poltava-s.

Sulmet vijnë pas avancimit të rëndësishëm të trupave ukrainase, që nëse do të konfirmohet do të nënkuptojë se ushtria e Kievit i ka trefishuar fitoret territoriale në 48 orë. Sipas raportimeve kundërofensiva i ka marrë Moskës pjesën më të madhe të rajonit të Kharkiv, duke arritur të ngrejë flamurin ukrainas deri pranë kufirit rus.

Presidenti Zelensky tha se 1 mijë metër katrorë ishin rimarrë në kontroll mbrëmjen e së enjtes. Territorit iu shtuan 2 mijë km katrorë të çliruara të shtunën në mbrëmje dhe më pas 3 mijë të tjerave të dielën.

Mes qytezave të çliruara janë edhe ato të Izym dhe Kupiansk, të konsideruara jetësore për furnizimin e ushtrisë ruse. Moska konfirmoi se forcat e veta ishin tërhequr nga qytezat, në mënyrë që të rigrupohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos