Vrasja e Kurtit, të arrestuarit përdornin celularë me vlerë 2 mijë euro

Nga A2 CNN
26 Mars 2019, 16:43 | Kronikë
Vrasja e Kurtit, të arrestuarit përdornin celularë me vlerë

Pas arrestimit të tre të rinjve si autorë të vrasjes së 26-vjeçarit Jurgen Kurti, agjentët e krimeve ndaj jetës nuk kanë gjetur asnjë lidhje apo konflikt mes viktimës dhe të arrestuarve. Fakt ky që ka shtuar dyshimet se të rinjtë mund të jenë paguar për të ekzekutuar Kurtin.

Sipas burimeve këto dyshime shtohen edhe nga disa telefona celular të kushtueshëm dhe të koduar që iu gjetën Olsi Qalliajt, Elsi Levendit dhe Alesio Berberit.

Bëhet fjalë për 5 celulare që secili kushton rreth 2 mijë euro dhe që e kanë vështirësuar përgjimin e policisë. Veç tre të arrestuarve dhe një i katërt u shpall në kërkim si autorë të vrasjes së Jurgen Kurtit, mbrëmjen e 18 marsit në kryeqytet.

Megjithëse policia është shprehur tepër e rezervuar, mësohet se nga analizimi i provave dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, rezulton se 3 të rinjtë kanë ndjekur së bashku me një bashkëpunëtor tjetër për disa ditë 26-vjeçarin Jurgen Kurti, deri në ekzekutimin e tij në shkallët e pallatit ku banonte.

Automjeti më të cilin u larguan pas ngjarjes tashmë i sekuestruar është prova kyçe që çoi në identifikimin e autorëve. Po ashtu, janë sekuestruar edhe 2 automjetet të tjera luksoze, ndërsa në banesa i është gjetur edhe një pistoletë, disa fishekë dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Një nga të ndaluarit, Olsi Qalliaj në postimet edhe në rrjetet sociale, ekspozonte mjetet luksoze që përdorte.

Të arrestuarit nuk kanë pranuar akuzat duke mohuar përfshirjen në vrasje ndërsa policia po heton pistën e hakmarrjes dhe konflikteve të mundshme të Jurgen Kurtit lidhur me profesionin e tij si biznesmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos