
Një nga themeluesit e Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Bledar Milaqi ishte i ftuar në emisionin “Absolut 4”, ku mbrëmjen e së enjtes u diskutua për votën e emigrantëve shqiptarë dhe sa mundësi ka ajo që të realizohet në zgjedhjet e 25 prillit.
Duke qenë pjesë e tryezës teknike të KQZ për këtë çështje, Milaqi tregoi disa nga teknikalitetet që ende e pengojnë këtë votim dhe shtoi se ka ende paqartësi dhe vonesa nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Edhe zoti Celibashi në diskursin apo ligjërimin e tij publik, pavarësisht se ai ka të drejtë ligjore, dhe nuk ka nevojë fare, në një farë mënyrë, legjitimiteti nga partitë politike, për të qenë i sigurt në vetvete, detyrohet të marrë dhe mendimet për ndryshim në draftim nga partitë politike. Për sa i përket shtetit të dobët, kjo reflektohet shumë mirë dhe në hallkat që duhet të mundësojnë votat e diasporës. Nënkuptoj këtu, regjistrin kombëtar, KQZ dhe AKSH. Nëse nisemi nga premisa që vota e diasporës do të realizohet, në bazë të VKM së nëntorit të 2020 nga Kryeministria, qytetari shqiptar detyrohet të bëjë ndryshimin e adresës së tij me vendbanim të përhershëm jashtë Shqipërisë përmes e-Albania.
e-Albania është një portal që menaxhohet nga AKSH dhe deri sot që flasim nuk ka një afat konkret për konfirmimin e një kërkese të tillë. Nëse unë si qytetar bëj kërkesën në këtë portal për të ndryshuar adresën në të cilën banoj jashtë, nuk marr një konfirmim. Ndërkohë që KQZ e ka vënë si parakusht regjistrimin e adresës pranë e-Albania në mënyrë që të bëhet pastaj kërkesa pranë KQZ për votim. Unë kam qenë pjesë e tryezës teknike të KQZ dhe kam kontribuar me sugjerimet e mija. Unë e konsideroj si proces të vonuar. Për votim, ai nuk tregon mënyrën se si do bëhet, numërim e votë, si do të votohet apo për kë kandidat”, u shpreh Milaqi. (A2 Televizion)