Një skelet balene që mendohet të ketë ekzistuar 3000 deri 5000 vjet më parë është zbuluar në Tajlandë, i ruajtur në mënyrë të përsosur.
Skeleti i gjatë 12 metra mendohet të jetë ai i një balene Bryde. Ai u gjet në fillim të nëntorit rreth 12 km larg bregut në perëndim të Bangkokut.
Ekspertët shpresojnë se gjetja e saj mund të hedhë dritë në të kaluarën, veçanërisht për kërkime mbi nivelet e detit dhe biodiversitetin.
Kockat, pjesërisht të fosilizuara, janë "një zbulim i rrallë", tha studiuesi i gjitarëve Marcus Chua i Universitetit Kombëtar të Singaporit, për BBC.
"Ka pak fosile balenash në Azi", tha ai dhe shumë pak janë "në gjendje kaq të mirë".
Fotografitë e shpërndara nga ministri i Mjedisit në Tajlandë Varawut Silpa-archa tregojnë se kockat duken pothuajse tërësisht të paprekura.

Sipas tij, më shumë se 80% e skeletit deri më tani është rikuperuar. Vetëm koka e skeletit vlerësohet të jetë rreth 3 metra e gjatë.
Z. Chua thotë se zbulimi do t'i lejojë studiuesit të zbulojnë më shumë rreth specieve të veçanta në të kaluarën, nëse kishte ndonjë ndryshim krahasuar me balenat e sotme të Bryde.
Skeleti do të sigurojë, gjithashtu, informacion në lidhje me "kushtet paleobiologjike dhe gjeologjike në atë kohë, duke përfshirë vlerësimin e nivelit të detit, llojet e sedimenteve dhe bashkësitë bashkëkohore biologjike në atë kohë".
"Ky zbulim do të hedhë dritë mbi të kaluarën pasi të jetë datuar skeleti" , thotë z. Chua.

Gjiri i Tajlandës ka një histori interesante në 10 000 vitet e fundit, me nivele deti ndoshta deri në 4 milionë më të larta se sot dhe aktivitet aktiv tektonik. Skeleti u gjet në vijën bregdetare aktuale në Samut Sakhon.
Balenat Bryde, të cilat jetojnë në të gjithë botën në ujëra të ngrohtë dhe tropikalë, gjenden edhe sot në ujërat përreth Tajlandës. (A2 Televizion)