
Në mungesë të një fushate elektorale tradicionale, që u kushtëzua nga Covid-19, partitë politike u detyruan që gjithë komunikimin e programeve të tyre ta përqendronin në media. Por, pavarësisht kësaj, gazetari Mentor Kikia mendon se media nuk ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces, duke harruar misionin e saj.
“Media duhet të luajë rolin e informuesit duhet të mbulojë drejtpërdrejt takimet elektorale, duhet të ndikojë në shpalosjen e programeve, por kjo gjë nuk ndodhi sepse partitë politike, duke i prodhuar vetë programet, ato më shumë sesa informuese ishin propagandistike dhe ky ishte ndryshim i madh mes rolit që duhet të luante media si institucion informues dhe rolit që luajti si institucion propagande në shërbim të partive politike, duke mos përcjellë informacion, por atë çfarë partitë donin të tregonin”, thotë Kikia.
Ndryshe mendon eksperti i komunikimit, Erlis Çela. “Kjo është një fushatë e veçantë nga të gjitha fushatat e tjera për shkak të kushteve të pandemisë. Dhe për shkak të këtyre kushteve kemi pasur një rritje të rolit të medias në mënyrën se si është pasqyruar aktiviteti elektoral. Të gjithë kanë qenë të detyruar të shkojnë te qytetari përmes medias”.
Kikia thekson se tashmë partitë politike po i kushtojmë më shumë vëmendje zyrës së shtypit. “Covid-19 modifikoi apo rimodeloi një fushatë elektorale ndryshe nga herët e tjera, por transmetimi i materialeve të gatshme është një problem madhor në median shqiptare, që ka nisur herët që para 15 vitesh me ato që quheshin kaseta të gatshme, ku partitë filluan t’i filmonin vetë takimet dhe t’i sillnin në televizione. Ky proces erdhi duke u modernizuar dhe partitë politike kanë redaksitë e tyre”.
Megjithatë, Erlis Çela mendon se mediat ia kanë dalë të bashkëjetojnë me këtë fenomen pa harruar rolin e saj kryesor. “Prodhimi i materialeve nga vetë partitë politike, apo edhe kandidatët është një fenomen që vazhdon prej disa fushatash dhe media ka qenë e detyruar që të përshtatet deri diku. Ka mekanizma të tjerë. Përmes opinionit, përmes linjës editoriale dhe përmes takimeve dhe përballjeve në studio media ka ofruar këndvështrimin e saj profesional dhe shikuesi ka pasur një pluralizëm mendimesh".
Përpos mediave tradicionale, në këtë fushatë u vu re një përdorim më i shtuar edhe i mediave sociale”. (A2 Televizion)