
3 futbollistët pozitivë me koronavirus të klubit të Këlnit ishin një goditje e hidhur për Bundesligën gjermane në një kohë kur Federata e Futbollit po insiston ditë pas dite për të marrë aprovimin e qeverisë për rinisjen e futbollit.
Megjithatë, për fat të mirë, klubi i Këlnit njoftoi se pas testimit të dytë të të gjithë stafit nuk rezultoi asnjë person tjetër i infektuar, duke e vendosur nën kontroll situatën.
Në Gjermani përpjekjet për t’u rikthyer në fushën e lojës vazhdojnë paralelisht me testimet, të cilat shfaqën sërish raste të prekurish. Nga 1724 testime, futbollistë, trajnerë apo pjesëtarë të klubeve në dy ligat e para të futbollit gjerman, rezultuan 10 persona pozitivë. Identiteti i tyre nuk u bë publik nga Federata e Futbollit, por njëri prej tyre është futbollist, pjesë e Dinamo Dresden në Bundesligën 2.
Federata i ka kërkuar të gjitha klubeve të elitës së futbollit një raport për rezultatet e testimeve dhe vetëm 3 klube, Augsburg, Leipzig dhe Borussia Munchengladbach nuk e kanë dorëzuar. Numri i ri i rasteve të prekura nisur nga raporti është i vogël, por në Gjermani ekziston frika e përshkallëzimit të infeksionit.
Qeverisë gjermane i është dërguar një protokoll i mbarëvatjes së kampionatit nën kushte tejet të rrepta higjienike e cila është është pranuar nga të gjitha palët. (A2 Televizion)