2021, viti i rikthimit të Partisë Demokratike në Parlament

Nga A2 CNN
1 Janar 2022, 13:41 | Politikë
2021, viti i rikthimit të Partisë Demokratike në Parlament

Rikthimi në Kuvend pas 2 vitesh bojkot parlamentar u shoqërua me një seri propozimesh politike dhe nismash ligjore, si për të treguar vullnetin për të mos mbetur vetëm pas një kartoni të kuq, duke votuar kundër mazhorancës socialiste. Propozimet politike të demokratëve përkuan në një kohë kur Lulzim Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së ish-kryetarin Sali Berisha, pasi ishte shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mungesën dyvjeçare në parlament duket se PD-ja kërkon ta rikuperojë duke kthyer nisma të vjetra, siç është ajo e vetingut të politikanëve. Ndryshe nga viti 2018, Basha kërkon që ky veting të kryhet nga SPAK, duke e cilësuar si një mundësi të artë për integritetin e saj.

Për politologun Afrim Krasniqi, kjo nismë më shumë sesa për t’iu përgjigjur mazhorancës socialiste është propozuar për të tërhequr vëmendjen ndaj grupit rival të Lulzim Bashës brenda PD-së. “Vetingu në politikë është në funksion të zhvillimit të PD-së, zhvillime të sforcuar që nuk kanë bazë solide, janë zhvillime që u bënë kundër grupeve rivale në PD, nuk arritën të tërheqin vëmedje as ndaj ndërkombëtarëve”, thotë Krasniqi.

Reformë zgjedhore, reformë territoriale dhe zhbërje të ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, ishin risitë që u prezantuan nga vetë Basha, por gjithçka mbeti në letër. Më shumë se përmbajtja e amendamenteve, debati publik kaloi te mundësia e një pazari midis socialistëve dhe demokratëve për shkëmbimin e votave, në kushtet kur mazhoranca kërkon zgjatjen e afatit të vetingut në drejtësi, por asnjëra palë nuk ka votat e nevojshme për nismat përkatëse.

Sipas Krasniqit, nisma për reformat nga demokratët kanë mbetur vetëm në letër dhe pa u ndjekur me akte të tjera. “Për komisionin e reformës territoriale nuk e dimë çfarë objekti do të jetë. Për sa kohë opozita nuk kërkon zgjedhje të parakohshme, nuk e dimë sesi këto komisione, do të jenë funksionale. Kjo është e vetmja opozitës që nuk kërkon zgjedhje të parakohshme kur i ofrohen zgjedhje të parakohshme”.

Dekomunistizimi ishte një tjetër nismë që PD-ja e nxori nga sirtari i propozimeve të vitit 2018, por njësoj si në rastin e parë, përveç deklaratave fillestare, asnjë draft konkret nuk ka parë dritën e diskutimit në tryeza publike apo institucionale.

Për analistin Ben Andoni, rikthimi i dekomunistizimit nga PD-ja është një iniciativë e vonuar, që nuk do të bëhet realitet. “E mendoj pak më të largët dekomunistizimin, pasi shoqëria është e përgatitur për këtë, shoqëria është e papërgatitur për këtë. Ne e dimë që një pjesë e madhe e spiunëve janë në parlament dhe nuk gjetur gjë, që ta kërkosh tani pas shumë dekadash”.

Në fillim të dhjetorit, duke ndjerë presionin në rritje të Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha për shkarkimin e tij. Lulzim Basha hodhi propozime të reja për ashpërsimin e dënimit për përfshirjen e grupeve kriminale në fushata zgjedhore dhe politikanët që përfitonin nga bashkëpunimi me këto elemente.

Propozimet ligjore të Lulzim Bashës nuk u ndalën vetëm në çështjet politike. Kriza energjetike e paralajmëruar nga Edi Rama i dha mundësinë të dalë me nisma ligjore të natyrës ekonomike që u depozituan edhe në Parlament. Fatin e tyre e përcaktoi kryesocialisti Edi Rama, duke i krahasuar me skemën piramidale të Sudes, gjë për të cilën kreu demokrat iu përgjigj po me të njëjtën ironi, duke thënë se Sudja, në fakt, është vetë Rama.

Afrim Krasniqi i cilëson të duhura këto propozime, por tregon se çfarë i mungon opozitës që të fitojë sërish besimin e qytetarëve për nismat që merr. “Ajo çfarë i mungon opozitës është se në momentin që i ka prezantuar nismat, nuk ka ndërmarrë asnjë akt tjetër bisedimi”, thotë ai.

Pavarësisht se Kryeministri e bëri të qartë që nuk kishte ndërmend të merrte në konsideratë propozimet e demokratëve, opozitarët depozituan në kuvend një projektligj për uljen e TVSH nga 20 në 6% për produktet e shportës. Ben Andoni e cilëson këtë si të vetmin hap konkret dhe të prekshëm për qytetarët. “Nisma për uljen e TVSH-së e prek direkt konsumatorin dhe duke ditur që s’kemi një minimum jetik të luhatshëm dhe unë besoj që opozita duhet ta çojë deri në fund, me gjithë asistencën e grupit të saj”, thotë ai.

Komisionet hetimore ishin një tjetër iniciativë që mori PD-në për të vijuar aksionin e saj opozitar. Inceneratorët, masakra elektorale dhe çështja Bechetti ishin 3 objektivat e hetimit. Por vetëm 2 prej tyre u miratuan pasi socialistët, duke pasur shumicën e votave, nuk lejuan nisjen e një hetimi parlamentar për kostot financiare të arbitrazhit me sipërmarrësin italian. Taulant Balla tha se kjo kërkesë bie ndesh me Kushtetutën, por dhe se Avokati i Shtetit dhe Gjykata Europiane për të drejtat e njeriut kanë kërkuar që informacionet për këtë proces të jenë konfidenciale. Ndërsa demokratët e dërguan në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vendimin e Kuvendit për mosngritjen e komisionit hetimor për çështjen Becchetti.

Dy komisionet e tjera hetimore u ngritën dhe nisën zyrtarisht punën, por nuk kanë arritur të shkojnë larg. Ai për të ashtuquajturën masakër zgjedhore mundi vetëm të listojnë emrat e atyre që do thirreshin për të dëshmuar, ndërsa as planin e hetimit nuk mundi ta miratonte me dakordësi. Dështimin e këtij komisioni, Afrim Krasniqi e sheh të lidhur edhe me akuzat mes demokratëve për vjedhje votash. “Komisioni parlamenter doli jashtë funksionit kur vetë brenda PD-së thanë se u vodhën votat mes njëri-tjetrit”.

Ndërkohë që për inceneratorët morën një dritë jeshile nga SPAK me arrestimin e ish-minsitrit të Mjedisit, Lefter Koka, demokratët me hetimin parlamentar nuk kanë mundur të prodhojnë asgjë, përveç konfirmimit të vullnetit për të vijuar punën.

Sipas Andonit, kriza që ka përfshirë PD-në e ka zbehur zërin e opozitës në komisionet hetimore parlamentare. “Parlamentin, opozita në këtë moment e sheh si strehë qetësie, sepse luftën më të madhe e ka për të mbajtur bravat dhe PD-në. Anëtarët e komisioneve parlamentare nuk kanë përgatitje dhe kësaj matrice i shtohet edhe pjesa politike e ndarjes mes grupit të Berishës dhe të Bashës”.

Për Krasniqin, përplasjet brenda demokratëve të ndarë në dy kampeve kanë bërë që opozita të mos dalë me produkte në nismat që merr pasi nuk tenton të negociojë me mazhorancën nga frika se sfidantët e kryetarit Basha do të akuzojnë për pazar politik me Ramën.

Viti i ardhshëm do të vijojë të mbetet sfidë për Partinë Demokratike e aksionin e saj opozitar, nënvizojnë për A2 CNN, Krasniqi dhe Andoni, teksa thonë se pa zgjidhur çështjet e brendshme mbi lidershipin e partisë, gjithçka tjetër do të mbetet në plan të dytë. Duket se viti 2022 do e gjejë PD-në mes artikulimeve për krizën e brendshme dhe aksionin parlamentar, ku vëmendja kryesore rrezikon të përqendrohet në salla gjyqesh me debate brenda vetes, sesa në arenën plenare të Kuvendit përballë mazhorancës socialiste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos