Droni rus goditi Rumaninë, Bukureshti e pranon, NATO: Nuk ishte sulm i qëllimshëm

Nga A2 CNN
7 Shtator 2023, 11:43 | A2 CNN në Ukrainë
Droni rus goditi Rumaninë, Bukureshti e pranon, NATO: Nuk ishte sulm i

Rumania bën një hap prapa dhe pranon se një dron rus kishte goditur territorin e vendit, pasi më herët refuzoi të konfirmonte provat fotografike të Ukrainës, që këmbëngulte se hapësira e anëtarit të NATO-s ishte shkelur.  

Të hënën, ministri i Jashtëm i Kievit, Dmitri Kuleba, zbuloi se dronët rusë kishin rënë në territorin rumun gjatë një sulmi të Moskës kundër portit të Izmail në Danub. Por autoritetet rumune e përgënjeshtruan dhe thanë se sulmet kishin ndodhur shumë pranë kufirit.

Megjithatë, më vonë, ekspertë ushtarakë zbuluan se pjesë dronësh kishin rënë në fshatin Plauru, në anën rumune të lumit Danub.

Ministri i Mbrojtjes në Bukuresht, Tilvar deklaroi se kishte informuar NATO-n lidhur me atë që kujdeset ta përcaktojë si një incident, dhe jo sulm. Në një linjë reagimi i Aleancës, me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg që tha të enjten se droni në Rumani nuk kishte qenë i qëllimshëm.  

“Nuk kemi ndonjë informacion që të sugjerojë sulm të qëllimshëm të Rusisë ndaj Rumanisë dhe po presim për rezultatet e hetimeve. Pavarësisht rezultatit, ajo që po shohim në fakt, janë luftime të ashpra dhe sulme ajrore pranë kufijve të NATO-s. Kemi pasur incidente të tjera në Poloni e diku tjetër, dhe po rrisim vigjilencën tonë. Po monitorojmë me kujdes atë që ndodh pranë kufijve tonë dhe po rrisim praninë në pjesën lindore të aleancës”, tha Stoltenberg.

Sakaq, Rusia raportoi ato që dyshon të jenë sulme me dronë ukrainas në qytetin rus të Rostov-on-Don dhe pranë Moskës. Një video e pakonfirmuar tregon atë që duket të jetë një shpërthim në qendër të Rostovit, ku sipas guvernatorit Vasily Golubev, një person u plagos lehtë dhe disa automjete u dëmtuan.

Ukraina sakaq bëri të ditur se Zaporizhzhia u godit, mëngjesin e së enjtes, me armë balistike me pasojë vdekjen e një personi. Sulme shënjestruan edhe rajonin ukrainas të Odesës, duke goditur infrastrukturë civile e portuale me Kievin që njoftoi se kishte shkatërruar 25 dronë mbi Sumi dhe Odesa.

Të mërkurën, 17 persona, përfshirë një fëmijë ranë në një sulm raketor në qytetin e Kostiantinivkas në rajonin e Donetsk.

Presidenti Zelensky fajësoi Rusinë për sulmet, por shërbime të inteligjencës në Lindjen e Mesme, pohuan se në fakt raketa që goditi tregun ishte ukrainase.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos