Jetesa bëhet më e shtrenjtë, inflacioni në nivelin më të lartë prej janarit 2024

Nga Marjo Brakaj
9 Nëntor 2026, 19:12 | Ekonomi

Fatura për të përballuar çmimet, sa vjen e rritet këtë vit. Sipas raportit të fundit të INSTAT në tetor inflacioni ishte 3.4%. Këto janë edhe shifrat më të larta të inflacionit që prej janarit të vitit 2024.

“Duke e shtrënguar rripin. Nga muaji në muaji i bëjmë ndonjë brimë më shumë që të shtrëngohemi sa më tepër. S’ke ça të bësh”, shprehen qytetarët.

Çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera po rriten shpejt këtë vjeshtë. Për muajin e shkuar, INSTAT vlerëson se inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë shtrenjtimit të jetesës ishte 3.4 për qind nga 2.9 për qind në shtator. Edhe më e fortë rezulton rritja krahasuar me një vit më parë.

“Ja kemi blerë spinaq e do bëjmë Burani. Ne mirë që na ndihmojnë fëmijët se me këto çmime do kishim ngordhur për bukë”, thonë qytetarët.

Pavarësisht prodhimeve vendase ende në tregje, inflacioni tek ushqimet dhe pijet muajin e shkuar u rrit në 4 për qind nga 2.8 për qind në shtator. Krahasuar me një vit parë, treguesi është  zgjeruar me 2.4 pikë përqindje.

“Duke parë edhe pjesën e turizmit që po na rritet goxha, do të ishte një gjë e mirë për ne sikur të ktheheshin pak sytë te bujqësia. Do ndihmonte ekonominë, fermerët, pra të gjithë ne. Do plotësonte nevojat edhe për turizmin, por edhe për konsum të brendshëm”, deklaroi Ilir Pilku, ekspert i sektorit bujqësor.

Për shkak edhe të lënies së tokës “djerrë”, si pasojë edhe e braktisjes nga njerëzit sot vendi po varet thuajse tërësisht nga importi.

“Së pari prodhimi ynë bujqësor duhet të strukturohet më mirë dhe t’i përshtatet ndryshimeve klimatike. E para duhet të dalim me prodhim shumë më herët dhe e dyta në kulmin e sezonit turistik veror që është në muajt korrik e gusht ne duhet të kemi sa më shumë prodhim vendas”, tha Pilku.

Rritje më të fortë muajin e shkuar shënuan çmimet e transportit. Inflacioni te ky sektor u rrit në mi 11 për qind nga vetëm 0.03 për qind tetorin e një viti më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos