“Konflikti” me qeverinë Sunak, mbreti britanik flet në frëngjisht për klimën dhe luftën

Nga A2 CNN
23 Shtator 2023, 14:34 | A2 CNN në Ukrainë
“Konflikti” me qeverinë Sunak, mbreti britanik flet në

Herën e fundit e kishte vizituar Francën si Princ, tashmë u kthye si mbret. Pritja iu bë e tillë, me të gjitha nderimet më të larta, edhe pse u thyen disa rregulla protokolli, si përshëndetja me puthje të duarve.

Mbreti Çarls i Tretë pas darkës me dolli të organizuar nga mikpritësi, presidenti Emmanuel Macron, mbajti një fjalim të gjatë, kryesisht në frëngjisht, në Senat, duke u bërë kështu monarku i parë britanik në histori që flet në parlamentin francez.

Mbreti ambientalist solli në fokus luftën ndaj ndryshimeve klimatike, pikërisht një ditë pasi qeveria e Rishi Sunak bëri një hap pas në tranzicionin drejt energjisë së pastër për të ruajtur ekonominë.

 “Ashtu siç ne qëndrojmë bashkë kundër agresionit ushtarak, ne duhet të përpiqemi sëbashku që të mbrojmë botën nga sfida më ekzistenciale nga të gjitha: ajo e ngrohjes globale, ndryshimeve klimatike dhe e shkatërrimit katastrofik të natyrës.”

Mbreti Çarls i Tretë vlerësoi kontributin e nënës së tij të ndjerë mbretëreshës Elizabet që krijoi “fijen e artë” të raporteve mes Britanisë së Madhe dhe Francës, ndërsa kërkoi mbrojten e lirisë dhe demokracisë kudo në botë.

“Përkushtimi ynë dhe aleanca jonë janë më të rëndësishme se kurrë më parë. Sëbashku ne qëndrojmë krah për krah me popullin ukrainas me solidaritet të plotë. Bashkë ne jemi të palëkundur në përkushtimin tonë që Ukraina të triumfojë dhe që liritë që ne gëzojmë do të fitojnë në fund.”

Fjalimi i mbretit britanik u përshëndet me ovacione nga ligjvënësit francezë. Në këtë vizitë në Paris, Çarlsi i Tretë shoqërohet edhe nga bashkëshortja mbretëreshë Kamila. Ata vizituan një qendër sportesh në kryeqytetin francez, ku monarku mori dhuratë një fanellë të ekipit të futbollit Pari Saint Germain.

Përpara se të shkonin në tregun e luleve në Paris, Bashkëshortja Mbretëreshë zhvilloi një lojë ping pongu me zonjën e parë franceze, Brizhit Macron. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos