Koncesioni i sterilizimit, Apeli la në burg ish-zv.ministrin Rrjepaj dhe biznesmenin Rrapaj

Nga A2 CNN
4 Tetor 2023, 14:46 | Aktualitet
Koncesioni i sterilizimit, Apeli la në burg ish-zv.ministrin Rrjepaj dhe

Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni, Ilir Rrapaj, do të vijojnë të qëndrojnë në paraburgim teksa do të hetohen nga SPAK për aferën e sterilizimit.

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të refuzojë ankimet e bëra prej tyre kundër masës “arrest në burg” të caktuar nga Shkalla e Parë gjatë muajit gusht. I pranishëm në sallën e gjyqit, ish-zyrtari Rjepaj argumentoi se nuk kishte “shpërdoruar detyrën” e as “falsifikuar dokumente” gjatë procedurës për lidhjen e kontratës koncesionare, por nuk mundi të bindë gjykatën për një masë më të butë sigurie.

Apeli la të pandryshuar edhe masën e “arrestit në shtëpi” të dhënë me herët për dy zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, Sajmir Kadiu e Marsela Serjanaj, si edhe atë të “detyrimit për paraqitje” për rektorin e Universitetit të Mjekësisë, njëherësh shefi i kirurgjisë në QSUT Arben Gjata dhe anëtari i Komisionit të Dhënies së Koncesiuonit, Genc Byrazeri. Ndërsa Naile Ajazi e Petro Mersini nuk e kishin apeluar masën e “detyrimit për paraqitje”.

Sipas avokatit Gentjan Rumano, ndonëse la të pandryshuara masat e sigurisë, Apeli nuk ka vlerësuar orientimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme, për zgjerim të hetimit tek ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ai i financave, Shkëlqim Cani.

Ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë nën hetim për sterilizimin akuzohen për “shpërdorim të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj akuzohet për “mashtrim me pasoja të rënda”. SPAK ka ngritur dyshime se koncesioni i sterilizmit, në vlerë gati 100 milionë euro ishte i paracaktuar, duke listuar një sërë shkeljesh, nga konflikti i interesit, deri tek manipulime në studimin e fizibilitetit.

(A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos