“Nuk mund të ketë normalizim pa siguri në Kosovë”. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti, në prag të vizitës së të dërguarve europianë dhe amerikanë, në Prishtinë. Duke theksuar se nuk i di ende kërkesat dhe ofertat e tyre, Kurti deklaroi se është jetike që Serbia të ndëshkohet pas ngjarjeve në Banjskë të Zveçanit.
“Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri. Çka do të kërkojnë e çka do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Republikës së Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit, por edhe për popullin e shoqërinë, për këtë ne punojnë ditë e natë. Në dhjetorin e vitit të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Më 24 ishte një sulm terrorist ku është vrarë heroi i Kosovës Afrim Bunjaku. Është jetike për Kosovën, demokracinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi që ata që nuk e kanë ditur ose nuk e kanë kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar, më në fund duhet ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova që duhet t’i vënë masa ndëshkuese, por është Serbia ajo që duhet t’i vendosen sanksionet”, tha Kurti.
Gjatë fjalës, Kurti kujtoi se Serbia ka përgjegjësinë për moszbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit, që sipas tij ka në qendër njohjen reciproke, de facto.
“Sa i përket dialogut në Bruksel, ne prej atje kemi marrëveshje, por sërish për shkak të Serbisë nuk është zbatuar. Ne kemi edhe marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 18 marsit. Ne kemi qenë përherë konstruktiv, kreativ dhe të përkushtuar dhe kurrsesi nuk ka faj apo përgjegjësi në anën tonë pse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen defakto reciproke dhe sa më parë që zbatohet ajo, do të kemi jo vetëm normalizim demokratik e evropian, por edhe siguri për vendin tonë e rajonin”, shtoi ai.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajcak, ai i SHBA, Gabriel Escbar dhe këshilltarë të liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë do të vizitojnë në fundjavë Prishtinën dhe Beogradin. Në fokus të takimeve me liderët, Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiç pritet të jetë plani për rikthimin e palëve në procesin e dialogut për normalizim të raporteve. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   