Ndërsa në Rripin e Gazës vijojnë bombardimet prej ditësh, Izraeli ka dhënë paralajmërimin edhe për Europën. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, tha në OKB se Europa do të jetë objektivi i ardhshëm i Hamasit për tú goditur. “Europa do t’i ketë terroristët te dera e saj”, tha ai.
Ndërkohë, ushtria izraelite tha këtë të martë se kishte goditur 400 shënjestra në Rripin e Gazës. Mes tyre, përfshihen tunele dhe pozicione sulmi të grupit të Hamasit, ndërsa raportohet të jenë eliminuar dhjetëra militantë. Hamasi bëri me dije se të paktën 140 civilë mbetën të vrarë gjatë orëve të fundit, dhe se dhjetëra shtëpi ishin shkatërruar. Në total mbi 5100 civilë kanë humbur jetën në Gaza që prej 7 tetorit, të paktën 2 mijë prej të cilëve fëmijë. Ushtria sugjeroi se nuk ka ndërmend të reduktojë sulmet ajrore, teksa bëhet gati për ofensivën tokësore në Gaza.
Në anën tjetër, Hamasi liroi të hënën dy gra izraelite të cilat ishin mes më shumë se 200 pengjeve të marra gjatë sulmit të koordinuar të 7 tetorit. Nurit Cooper dhe Yocheved Lifschitz 85 dhe 79 vjeç, janë pengjet e treta dhe të katërta që lirohen, por bashkëshortët e tyre vijojnë të mbahen nga militantët. Ata u rrëmbyen në vendbanimin izralit, Nir Oz, i cili ndodhet përgjatë kufirit të Izraelit me Rripin e Gazës. Presidenti amerikan, Joe Biden, mirëpriti lirimin e pengjeve dhe theksoi nevojën për të vijuar mbështetjen humanitare për Gazën, gjatë një telefonate të zhvilluar me kryeministrin Benjamin Netanjahu. (A2 Televizion)

