21 mars, Dita Botërore e sindromës Down, dashuri dhe sport

Nga A2 CNN
21 Mars 2022, 09:03 | Aktualitet
21 mars, Dita Botërore e sindromës Down, dashuri dhe sport

Është Dita Botërore e fëmijëve me sindromën Down. Si në çdo ditë të vitit, ata përçojnë atë pozitivitet dhe dashuri dhe pse gjithë vëmendja sot është tek ata. Pas dy viteve pandemi, qindra fëmijë zgjodhën që këtë ditë të veçantë ta kalonin në fushat sportive tek Kodrat e Liqenit artificial, secili në sportin e preferuar.

‘’Lot of socks’’. Është kjo fushata ndërgjegjësuese e qendrës Xhonatan e cila në bashkëpunim dhe me Gener 2, organizoi këtë aktivitet në kuadër të ditës ndërkombëtare për fëmijët e sindromës Down.

Jo më kot është përzgjedhur kjo datë pasi është  dita e 21 e muajit të tretë për të nënkuptuar veçantitë e trefishimit të kromozonit të 21 që shkakton sindromën Down. Mesazhi që ata përcillnin ishte i qartë dhe ata fëmijë janë po njësoj dhe po aq me vlerë sa të gjithë.

Të ndarë në grupe ata zgjodhën sportin e preferuar, dikush futboll  dikush volejboll apo basketboll.

Buzëqeshja, gëzimi dhe shkëlqimi në sytë e tyre ishte ajo çfarë do donin të shikonin të gjithë e veçanërisht prindërit e tyre të cilët kanë kaluar sfida të vështira vetëm për të rritur te vegjlit e tyre.

Andi ishte një nga fëmijët më energjikë aty që edhe pse ishte i ndrojtur nga kamera,  prapa saj kishte shumë dëshirë për t’u përfshirë në lojëra dhe aktivitete sportive. Në një bisedë me mamanë e Andit, na tregoi se duhet shumë durim dhe forcë për të ecur përpara ndërsa i bëri thirrje dhe qeverisë për të rritur mbështetjen në këtë kategori.

Mes të tjerash Leka tha se kurrë nuk do të dorëzohet për të  birin e saj duke i bërë thirrje dhe opinionit publik se këta fëmijë janë njësoj si të tjerët.

Edhe prindi i Olsit, një baba i devotshëm tregoi për A2 CNN sprovat që kalon çdo ditë ndërsa theksoi se në Shqipëri edhe pse viti 2022, ka akoma paragjykime.

Në aktivitet u bashkuan dhe figura të njohura të sportit. Një prej tyre ishte dhe Amarilda Prenga, trajneria e volejbollit të vajzave të Tiranës e cila nuk ngurroi të jepte mesazhin e saj.

Sjellja e tyre është frymëzuese , dëshira për t’u përfshirë në çdo aktivitet është prezente tek secili nga ata. Dikush zbuloi se kishte talent dhe në fushën e gazetarisë duke moderuar aktivitet e kërcimit.

Për dy organizatorët ky event arriti çdo pritshmëri dhe premtuan se dhe në të ardhmen, aktivitete të tilla nuk do të mungojnë.

Edhe pse jemi në vitin 2022 për fatin e keq ka akoma nga ata që i veçojnë këta fëmijë, apo i paragjykojnë duke i bërë që të kalojnë shumë sfida. Ata janë njësoj si ne! Janë të aftë si ne e nëse do i hedhim një sy progresit që këta fëmijë kanë bërë, vetëm qendra Xhonatan ka punësuar 15 të rinj në profesione si kamerier, banakier, në sektorin e mirëmbajtjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos