
Përshkallëzohet përplasja mes Rusisë dhe Estonisë. Ministria e Jashtme në Moskë akuzoi Talinin për ndërmarrjen e një sërë veprimesh armiqësore dhe kërcënoi me luftë të hapur shtetin fqinj baltik, anëtar i NATO-s dhe BE-së.
Paralajmërimi i fortë erdhi pasi Estonia njoftoi planet për mbylljen e kufijve me Rusinë për të paktën gjashtë muaj, si dhe pas një sulmi me dron ukrainas ndaj një luftanijeje ruse në Detin Baltik.
Ministria i bëri publike akuzat përmes një deklarate, pas thirrjes në Moskë të të Ngarkuarit me Punë të Estonisë, Marek Uehtegi.
“Diplomatit estonez iu bë edhe një herë e qartë se veprime të tilla provokuese dhe tejet të rrezikshme janë në prag të shkaktimit të një lufte të hapur me Rusinë”.
Mes një sërë akuzash të tjera, Ministria deklaroi se Estonia kishte lejuar në heshtje përdorimin e hapësirës së saj ajrore nga dronët ukrainas për të kryer sulme në veriperëndim të Rusisë.
Ministria akuzoi gjithashtu Estoninë se po përpiqet të pengojë lëvizjen e anijeve ruse të transportit të mallrave në Detin Baltik, se ka ndaluar tranzitin e drithërave ruse dhe bjelloruse, si dhe se ka kërcënuar me mbylljen e Kishës Ortodokse Ruse.
Ministri i Jashtëm estonez hodhi poshtë atë që e cilësoi si “propagandë ruse”, duke deklaruar se Rusia është i vetmi vend agresiv në Evropë.
“Vendi i vetëm që po shfaq agresion në Evropë dhe që po zhvillon një luftë agresioni në shkallë të plotë kundër Ukrainës, por edhe që po sulmon gjerësisht Evropën, është Rusia. Kemi pasur një sërë sulmesh terroriste dhe aktesh sabotazhi në Evropë, të organizuara nga shërbimet sekrete ruse. Kjo është propagandë tipike ruse: të fajësojë të tjerët, ndërkohë që, në të vërtetë, e vetmja palë agresore në këtë rast është Rusia”.
Ndërkohë, Rusia kërcënoi me “përgjigje të dhimbshme”, pasi Ukraina konfirmoi se kishte ndërmarrë sulme shkatërruese ndaj dy anijeve ruse në një port të Libisë. (A2 Televizion)