8 Marsi i Putinit, mesazh për gratë ruse: S’do dërgojmë rekrutë apo rezervistë në Ukrainë

Nga A2 CNN
8 Mars 2022, 13:25 | Bota
8 Marsi i Putinit, mesazh për gratë ruse: S’do

Rusia nuk do të dërgojë rekrutë apo rezervistë në Ukrainë. Këtë e konfirmoi vetë presidenti, Vladimir Putin, duke pretenduar se “ushtarët profesionistë po përmbushin objektivat e vendosura”, në atë që ai vijon ta konsiderojë një “operacion special”. Shefi i Kremlinit, në ditën ndërkombëtare të gruas, iu drejtua veçanërisht atyre që kanë fëmijët, burrat dhe vëllezërit në luftë në Ukrainë.

“Respekte të veçanta për gratë që shërbejnë në Forcat e Armatosura të Rusisë. Dua t’u flas nënave, bashkëshorteve, motrave dhe nuseve e të dashurave të ushtarëve e oficerëve tanë që po mbrojnë Rusinë në këtë operacion special. E kuptoj që ju jeni të shqetësuara për të dashurit tuaj. Ju jeni krenare për ta, ndërsa i gjithë vendi shqetësohet për ta. Jam i sigurt se ushtarët do të garantojnë siguri dhe paqe për popullin rus në një mënyrë efikase”, tha Putin. “E theksoj se rekrutët nuk po marrin pjesë në luftime dhe nuk do të ketë aktivizim të rezervistëve. Vetëm ushtarakët profesionistë do të përfundojnë këtë detyrë. Jam i sigurt se ata do të sjellin siguri për popullin rus”.

Pentagoni beson se forcat ruse po rekrutojnë luftëtarë të huaj, përfshirë sirianë për ta ndihmuar ushtrinë e saj në tentativën vdekjeprurëse për pushtim. Në terren, Ukraina pretendon se ushtria ruse po humbet dhe rëndë madje. Ministria e Jashtme e Kievit njoftoi se ka vrarë 12 mijë trupa pushtuese. Mes tyre dhe zyrtari i lartë i ushtrisë ruse, gjeneral majori, Vitaly Gerasimov. Shefi i shtabit i 41 u vra bashkë me disa oficerë të tjerë, raporton ministria ukrainase. Kievi njofton se ka shkatërruar dhe 48 avionë, 303 tanke, 80 helikopterë dhe mbi 1 mijë autoblinda të ushtrisë së Rusisë.

Por Moska në shifrat zyrtare pohon se vetëm 500 trupa të saj janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë. Përveç asaj në vendin fqinj, Rusia po zhvillon dhe një betejë ekonomike me të gjithë perëndimin. Moska kërcënon të ndërpresë furnizimin me gaz natyror në Europë, përmes gazsjellësit Nord Stream 1, në kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të rënda si ndëshkim për luftën në Ukrainë. Kjo vjen disa ditë pasi tregjet europiane të gazit përjetuan një rritje të frikshme me thuajse 80 për qind. Vendet anëtare të BE-së po punojnë për të gjetur burime alternative furnizimi me gaz për të reduktuar varësinë nga Rusia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos