
Oferta e partive në zgjedhje, Tabaku: Kemi një program të hartuar me ekspertë, pala tjetër ka vetëm batuta
Kandidatja e Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku deklaroi në “Absolut 4” se në këto zgjedhje janë përballë dy realitete krejt të ndryshme.
Tabaku u shpreh se PD vjen në këto zgjedhje me një program të qartë me mbi 500 faqe të hartuar nga 600 persona, ndërsa nga ana e mazhorancës nuk ka asgjë përveç batutave.
“PS ka punuar për propagandën këto vite, ka investuar. Qytetarët kanë dhe një lloj mosbesimi. Në 2013 erdhën në pushtet me premtime bombastike. Njerëzit shprehin skepticizëm pasi nga 2013 nuk është mbajtur asnjë premtim. Dhe përballemi gjatë kësaj fushate me pyetjet e njerëzve; a do i mbani premtime? Ku do i gjeni lekët? A do rikthehet shpresa? Programi ynë është rreth 500 faqe dhe që u prezantua nga një ekip për çdo sektor, ekspertë. Janë mbi 600 persona të përfshirë në hartimin e programit.
Z. Basha po kandidon, është kandidati për kryeministër. PD po punon për të marrë vota për partinë, jo për kandidatët. Unë mendoj që është një çështje që po i kushtohet më shumë interes se ç’duhet. Nga ana tjetër kemi vetëm batuta, nuk ka asnjë program konkret, disa premtime të ricikluara dhe të pambajtura. Pra janë dy oferta pa lidhje me njëra-tjetrën, si nata me ditën. Skepticizmin e qytetarëve e kuptoj, janë të lodhur. Janë zhgënjyer dhe në 8 vitet e fundit”, u shpreh Jorida Tabaku.
A po shkel PD masat e pandemisë, Tabaku: Ne i respektojmë të gjitha ligjet
Jorida Tabaku ka reaguar në “Absolut 4” dhe për akuzat e përsëritura nga kryeministri Edi Rama se Partia Demokratike po thyen rregullat antiCovid me tubimet e saj duke i cilësuar ato si vatra infektimi.
Për kandidaten për deputete, Tabaku kjo është diçka e pavërtetë pasi PD zbaton të gjitha ligjet dhe masat kundër pandemisë. Megjithatë, ajo shtoi se qytetarët që i bashkohen marshimeve të Lulzim Bashës nuk mund t’i largojnë
“Kjo është një hipokrizi e tepruar pasi të gjitha takimet e PS janë ashtu shtrojnë dreka, darka. Ne nuk bëjmë asnjë njoftim për takimet që kryetari bën. Ne kemi një plan. Në Tiranë u mblodhën sot qytetarë pa fund. Dolën qytetarët vetë. Partia Demokratike respekton të gjitha ligjet, të gjitha masat. Secili nga ne është me maskë, në takim ruajmë distancën, por njerëzit që na bashkohen nuk mund t’i largojmë. Edhe kudo që bëjmë takime bëjmë thirrje që të ruhet distanca dhe të zbatohen masat”, u shpreh Tabaku.
Krasniqi: E gjithë fushata e PD po shkon te një person, nuk shohim konceptin e ekipit
Analisti Afrim Krasniqi komentoi në “Absolut 4” dy pikat e dobëta të fushatës elektorale të Partisë Demokratike.
Sipas Krasniqit, opozitës i mungon një program i shkruar dhe është krijuar përshtypja se po luftohet për një kandidaturë për kryeministër dhe e gjithë fushata shkon te një person.
“Ne jemi ende në mesin e fushatës elektorale dhe duhet të presim sesi do të vijojë periudha e ngelur. Por ajo që mund të konstatojmë është se në tëresi fushata e opozitës nuk është fushatë negative. Është fushatë e përqendruar më shumë të votuesit e pavendosur që janë kontigjenti kryesor vendimmarrës në qëllimin e saj dhe nga ana tjetër është një lloj opozite që ka tentuar të promovojë figura të reja, pavarsisht moshës në përpjekje për të fituar kredenciale.
Ajo çfarë i mungon opozitës është fakti se së pari nuk kemi një program të shkruar. Kjo nuk e ka dëmtuar tërësisht fushatën por e ka përqëndruar tek replikat. Së dyti, përshtypja e përgjithshme është se opozita po lufton për një kandidaturë për kryeministër dhe e gjithë fushata shkon te një person. Opozitat sa herë pretendojnë rotacion, mundohen të japin përshtypjen se janë ekip. Konceptin e ekipit ne nuk e shohim ende. Ne shohim vetëm një figurë që lëviz dhe nuk shohim figura të dyta të cilat vijnë edhe në hierarkinë partiake dhe duhej të kishin një rol.
Elementi tjetër është se kemi dy linja deklaratash. Linja e parë është ajo zyrtare, e cila është normale dhe kemi një linjë që vjen nga numri 5 ose 6 i listës dhe individë të tjerë që kanë një metodë tjetër.
Shpesh herë lajmet e pjesës së dytë janë headline në media dhe shpeshherë nuk kanë të njëjtin sinkron me qëndrimet zyrtare, çfarë tëhreq vëmendjen nga fushata elektorale dhe e bën lehtësisht të atakueshme opozitën.
Nëse ka gjë konservative në PD është mënyra si bëhet fushata elektorale. Tradicionalisht PD e ka mbështetur foton e vet te mitingu,te masiviteti, te takimet në bazë. Këto zgjedhje kërkojnë marrëdhënie publike, komunikim virtal, imazh, mesazh të shkurtër, një kontakt të largët me qytetarin. E majtja ka qenë gjithnjë më e përparuaar në këtë drejtim. Le të kujtojmë ERTV.
Opozita është e kushtëzuar, gjithsesi detyra e opozitës është që në kushtet e reja të ndërtojë një strategji që i shkon kushteve të reja.
Qytetarët kur duan të votojnë kundër një politikani arrogant, i cili ka monopolizuar pushtetet, nukjanë të gatshëm ta çojnë votën te një politikan. Qytetarët kërkojnë ndryshimin e sistemit. Sistemi ndryshohet me ekip. Nëse fokusohet te individi, kostot elektorale do jenë më të mëdha.”, u shpreh Krasniqi.
Balluku: Procesi i rindërtimit nuk po bëhet për vota, ka nisur një vit e ca muaj më parë
Ministrja e Infrastrukturës, Balluku mohoi kategorikisht akuzat se procesi i rindërtimit po përdoret për të marrë vota në zgjedhjet e 25 prillit.
Sipas saj, rindërtimi ka nisur kohë më parë kur nuk bëhej fjalë për vota. Gjithashtu, ministrja shtoi se një proces i tillë rindërtimi për raste të ngjashme nuk është ndërmarrë nga asnjë vend tjetër.
“Procesin e rindërtimit nuk po e bëjmë për vota pasi ka nisur prej 1 viti e ca muajsh kur nuk bëhej fjalë për vota. Dhe kemi nisur një proces rindërtimi që nuk është bërë në asnjë vend tjetër, si Greqi, Turqi apo Itali. Sot e kësaj dite në Aquila njerëzit jetojnë në kontenier. Një proces rindërtimi që po bën kjo qeveri është i paprecedentë. Nuk mendoj se ka mungesë transparence. Ne nuk është se kemi menaxhuar fonde në këtë rast. Shumë vende po i ndjekin të gjitha procedurat e rindërtimit për atë që kanë premtuar”, tha ministrja.
“Çfarë ka ndryshuar që Basha po futet në zgjedhje me Ramën?”
Jorida Tabaku, kandidate e Partisë Demokratike tregoi në “Absolut 4”pse Partia Demokratike vendosi të futej në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, ndryshe nga sa ka thënë në vitin 2017.
Sipas Tabakut, PD futet në zgjedhje me një Rama akoma më të keq por me nje mbështetje të jashtëzakonshme qytetare.
“Fryma është e jashtëzakonshme, mbështetja është e jashtëzakonshme. Ne jemi duke marrë të gjitha masat për të parandaluar dhe efekte të tjera që PS i ka zakon ti bëjë, blerja e votës, përdorja e kriminelevë.
Fatkeqësisht akoma në lista kemi kriminelë, kemi persona të inkriminuar ose me familjarë të inkriminuar. Jemi duke marrë masa tani për ti identifikuar, për ti denoncuar nga njëra anë por nga ana tjetër për të siguruar dhe votuesit.
Ka ndodhur para pak ditësh. Një familje më tha që i kishin bërë presion për 10 vota. Një familjare punonte në një institucion dhe iu kishin bërë presion për 10 vota. Unë shkova në shtëpi dhe iu thashë që çfarë do të të bëjnë. I thashë që ne jemi këtu dhe të siguroj që nuk do të prekin një fije floku. Këtë po bëjmë me çdo votues.
Fryma është e jashtëzakonshme dhe nuk ka asgjë që e ndal ndryshimin. Për sa i përket Ramës kryeministër, të ishte për mua Rama duhej të kishte ikur kohë më parë, të ishte dhe për shqiptarët duhej të kishte ikur shumë vite më parë.
Kanë ndodhur shumë gjëra, si njohëse e politikës e di që Rama me mënyrën e tij për ta forcuar pushtetin, nga demokraci na ktheu në autokraci. A ke sot një balancë pushtetesh? Ne në 2017 u futëm në zgjedhje, çadra ndodhi para zgjedhjeve. Po futemi me një Ramë më të keq në zgjedhje por me një mbështetje të jashtëzakonshme qytetare. Nuk ka asgjë që e ndal ndryshimin.”
“Më 18 prill ulet avioni i parë në Kukës”, Balluku jep detaje në “Absolut 4”
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e ftuar në Absolut 4 dha detaje në lidhje me aeroportin e Kukësit dhe avionin e parë që pritet të ulet aty më 18 prill.
“Ne kemi dorëzuar disa projekte madhe që ishin nisur dhe kishin ngelur rrugëve. Një prej të cilëve është edhe aeroporti i Kukësit. Më 18 prill ulet avioni i parë në Kukës, me 132 pasagjerë pasi aq mban avioni i “Air Albania”. Do të jetë një fluturim promocoional, nuk do të paguhet biletë. Është vetë koncesionari që e ka ofruar këtë fluturim.
Këtij aeroporti i janë vënë shumë epitete, duke u quajtur 3D e të tjera, por ky aeroport është i vërtetë dhe aty do të ulen avionët. Jam shumë e sigurt se si çdo luftë e nisur nga një kënd lojërash dhe duke përfunduar tek aeroporti edhe aty do të shuhet dhe askush nuk do t’i referohet që për dy vite aty është punuar. Specialistë të ndryshëm kanë thënë se ajo nuk do të bëhet kurrë, apo këto janë probleme 3D të Ramës”, u shpreh Balluku.
Krasniqi për fushatën e PS: Të jep përshtypjen sikur kemi një ekip milioneresh që kanë dalë nëpër qytetet e Shqipërisë
Analisti Afrim Krasniqi komentoi në “Absolut 4” fushatën elektorale të Partisë Socialiste, duke u shprehur se duket si një ekip të pasurish që kanë dalë dhe po njohin Shqipërinë.
Sipas Krasniqit, PS nuk ka program dhe ka si strategji të marrë vetëm votat e militantëve dhe punonjësve të shtetit.
“Në jemi në mandatin e dytë të PS. Është një mandat konsumi. Është një mandat që e ka lodhur Partinë Socialiste dhe energjinë e saj. Ajo përdor argumentin e pandemisë dhe tërmetit por nga qytetarët shqiptarë është votuar për një program dhe sot është koha kur ajo do të duhej të përgjigjej për atë program.
Të jep përshtypjen, e gjithë fushata sikur kemi një ekip të pasurish, një ekip milioneresh që kanë dalë nëpër qytetet e Shqipërisë dhe po njohin Shqipërinë. Flasin me një gjuhë e cila nuk është politike, nuk ka program. Por, shohim denigrim të figurave politike, të medias, shoqërisë civile apo tjerë. Kjo nuk është rastësishme. Është strategji e PS sepse interesi i PS është të votojnë vetëm militant dhe punonjës të shtetit.”
Balluku: Rruga e Arbrit është një arritje, por ka vetëm një problem. PPP-të nuk janë shpikur nga PS
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e ftuar në Absolut 4, ndër të tjera foli edhe për rrugën e Arbrit për të cilën theksoi se do të punohet edhe 18 muajt e ardhshëm. Ministrja u shpreh se i vetmi problem në punime është vetëm tuneli i Murrizit.
“Rruga e arbrit ka edhe 18 muaj për punime, por ka ecur shumë shpejt krahasuar me parashikimet, i vetmi problem është tuneli i Murrizit, pasi është hasur në ujë. Pjesa tjetër është e aksesueshme edhe pse nuk është e hapur zyrtarisht. Rruga e Arbrit, por edhe shumë të tjera janë në proces. Rruga e Arbrit është një arritje”.
Teksa foli për PPP-të, ministrja theksoi se nuk janë shpikur nga PS, POR PD ka qenë nismëtarja e koncesioneve.
“Unë po i referohem koncesionit të kolaudimit, e cila është dhënë nga PD, ndërsa ne tani ja kaluar shtetit. Ka qenë e njëjta filozofi dhe në atë kohë. Sa i përket edhe portit të Durrësit, është dhënë një koncesion gjatë fushatës para zgjedhjeve të vitit 2013 dhe është firmosur gjatë kohës së tranzicionit. Koncesionet nuk i ka shpikur PS dhe nuk janë fjalë të ndaluara, por veprime ligjore që ndodhin në çdo vend. Unë e kuptoj propagandën e çdo lloj politikani”, u shpreh ministrja.
Ndërkohë, sa i përket raportit të fundit të Transparency International, Balluku u shpreh se ligjet me pororsi janë votuar me shumicë votash. “Nuk janë votuar as nga unë, as nga kryeministri”, tha ajo.
Fushata e LSI, Krasniqi: Njihet si parti klienteliste, sfida e saj më e madhe është të kthehet në parti normale
Analisti Afrim Krasniqi komentoi në “Absolut 4”, fushatën e LSI në zgjedhjet e 25 prillit, duke u shprehur se kjo forcë politike është në provë pasi Monika Kryemadhi drejton për herë të parë një fushatë elektorale dhe për shkak të koalicionit me opozitën.
“Gjendet në situatë paradoksale. LSI nga njëra anë ka postin e presidentit dhe nga ana tjetër është partia më e sulmuar politike nga PS, për shkak se mbështetësit e saj konsiderohen vota të majta ose të zhgënjyer. Si e tillë PS e sheh si rrezikun kryesor të devijimit të këtyre votuesve.
LSI është në një lloj prove që lidhet me dy lloje aspektesh. Kryemadhi për herë të parë drejton një fushatë elektorale. Nëse në shohim retorikën e saj është më pozitive se një sërë drejtuesish politikë sepse është më konkrete te qytetarët. Nga ana tjetër, LSI ndodhet në situatë të vështirë sepse është në koalicion me opozitën por defakto nuk është në koalicion me opozitën.
Deri diku mënyra si dy palët do harminazojnë zonat elektorale duke mos rivalizuar njëra tjetrën në zonat bastion por duke lënë hapësirë të lirë njëra tjetrën në zonat e brishta, do përcaktojë dhe fatin e dy forcave politike në procesin elektoral. Në memorien tonë politike, LSI është e njohur si parti klienteliste. Sfida e saj më e madhe është të kthehet në parti normale, si gjithë të tjerat. Për ta bërë këtë gjë nuk mjafton vetëm koncepti i vendeve të punës, por për ta parë qeverisjen si qasje strategjike.
Silva Caka në “Absolut 4”: Në Tiranë do të marrim 10 mandate
Kandidatja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka u shpreh në “Absolut 4” se synimi i subjektit ku ajo bën pjesë në qarkun e Tiranës është të përmirësojë rezultatin e arritur në zgjedhjet e 2017 dhe të fitojë 10 mandate.
Silva Caka deklaroi se sondazhet e paguara synojnë të ushtrojnë presion ndaj LSI dhe shtoi se suksesi i kësaj partie është kontakti i drejtpërdrejt me qytetarët.
“Është e disata herë që në çdo zgjedhje që këto sondazhe siç dhe ju e thatë të porositura apo jo nuk e kalojnë LSI sipër 5%. Gjithnjë sondazhet e porositura nuk e kalojnë sipër 5%. Por në rezultatet e zgjedhjeve shkuam 10 pikë më tepër. Pavarësisht presioneve LSI ka pasur një rritje të konsiderueshme. Ne kemi një kulturë pune të ngritur që nga themelimi i LSI. Nuk i marrim asnjëherë parasysh sondazhet.
Qenia çdo ditë në terren e bën LSI më të fortë. Duhet shkelur çdo zonë dhe biseduar me çdo qytetar. Unë nuk i quaj sondazhe, por paçavure. Sondazhet tona nga puna që bëjmë në terren. Duam të dyfishojmë mandatet e 2017. Duam të marrim 10 mandate në qarkun e Tiranës”, tha Silva Caka.
Me çfarë kushti LSI-ja do të qeveriste sërish me PS-në?
“Nëse zgjedhjet prodhojnë një situatë ku Shqipëria ngec dhe LSI bëhet faktor, cilat do të ishin kushtet që LSI do të vendoste që të bëhej palë me PS, për të drejtuar sërish Shqipërinë. A do të qeverisë LSI sërish me PS?”
Kjo ishte pyetja që gazetarja Edlira Gjoni i drejtori kandidates së LSI-së në Tiranë, Silva Caka, e cila u përgjigj prerë me një “jo”.
“Nuk besoj që PS do ta bënte atë që të bashkëpunonte me forcat tona. As me LSI, as me PD. Nuk do t’i ketë ato numra dhe nuk do ta ndihmonte në këtë pikë as LSI, as PD”, tha Caka. (A2 Televizion)