Politologu Ermal Hasimja deklaroi se mungesa e stabilitetit në anën e opozitës ka bërë që ndërkombëtarët “të mos jenë më agresivë në raport me vijimësinë e qëndrimit të Ramës në pushtet”.
“Nuk ka një faktor tjetër, një bllok të qartë, të sigurtë, garantues, në raport sidomos me qëndrimin e ndërkombëtarëve. Një nga arsyet pse ndërkombëtarët nuk kanë qenë më agresivë, më të vendosur në raport me vijimësinë e qëndrimit të Ramës në pushtet është pikërisht sepse nuk gjejnë një garanci tjetër stabiliteti në anën e opozitës. E parë nga jashtë, qoftë nga ata që janë partnerë të NATO-s, qoftë nga ata që janë nga Bashkimi Europian, ajo çfarë është prioritare për ata është pjesa e stabilitetit dhe këtu kanë kërkesa shumë legjitime. Në momentin e parë që në anën e opozitës do kishte një bllok solid, atëhere gjithçka do të ishte shumë më e lehtë”, tha Hasimja në studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.
“Kjo kërkon që të gjitha energjitë që janë kundër qeverisjes aktuale në mos të bashkoheshin, të bashkëpunonin në një farë mënyre, të merreshin vesh me njëri-tjetrin për një qëllim”, shtoi Hasimja. (A2 Televizion)