Anglia e nis me fitore Europianin, Kroacia i dorëzohet golit të Sterling

Nga A2 CNN
13 Qershor 2021, 16:50 | Futboll

Dita e tretë e Euro 2020 ka nisur me një përballje tejet të fortë, ku Anglia dhe Kroacia matën forcat që në nisje të Europianit.

“Tre Luanët” treguan që janë një prej pretendentëve të këtij kompeticioni, duke mbajtur nën presion thuajse gjatë gjithë ndeshjes Kroacinë e Modric, e cila në fund iu dorëzua një goli të realizuar nga ylli i Manchester City-t, Sterling.  

Sulmuesi 26-vjeçar e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 57 pas një aksioni të bukur të anglezëve. Edhe në vijim ishte sërish Anglia që kërkoi të gjejë edhe golin e sigurisë, por Kane gaboi vetëm pak metra nga porta.

Ndërkohë, Kroacia u tregua e pafuqishme të thyente murin anglez në mbrojtje duke mos rrezikuar thuajse asnjëherë pas golit të parë.

Anglia dhe Kroacia janë në grup me Çekinë dhe Skocinë debutuese, ndeshja mes të cilave do të luhet ditën e hënë në orën 15:00. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos